Lajme

Qelaj për Kodin Civil: Të papranueshme deklarimet publike

05/06/2024 14:31
nga:G C

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, konsideron se është shqetësues diskursi publik lidhur me Kodin Civil. Sipas tij, deklaratat publike përmbajnë gjuhë të urrejtjes, janë të papranueshme dhe krijojnë polarizim të skajshëm.

Ai ka thënë se formulimi aktual në Kodin Civil për zgjidhjen juridike për procedurat e martesave në mes të gjinive të njëjta nuk është në përputhje me Kushtetutën.

“…Diskursi i komunikimit dhe deklaratave publike që shpeshherë përmban gjuhë të urrejtjes, të papranueshme dhe gjuhë që krijon polarizim të skajshëm deri tek situata që mund të eskalojë edhe në situata të tilla që të pësojnë qytetarët që vijnë ose i përkasin LGBTI. Kodi Civil dhe formulimi aktual i zgjidhjes së problemit të martesave ose zgjidhjes juridike të procedurave të martesave të personave me seks dhe gjini të njëjtë, nuk është i formuluar në përputhje me Kushtetutën. Për arsye se ky ligj, ky Kod Civil e rregullon njëjtë si Kushtetuta. Kushtetuta thotë duhet të rregullohet me ligj. Kodi Civil thotë duhet të rregullohet me ligj. Pra, e len të pazgjidhur dhe jo në përputhje me qëndrimet dhe kërkesat që i ka Kushtetuta. Ne nuk kemi nevojë për të hartuar ligje dhe për të përshkruar Kushtetutën, por kemi nevojë me hartuar ligje që në përputhje me parimet me vlerat kushtetuese, Kushtetutën e bën të zbatueshme në praktikë”, tha ai për “Kosovapress”.

Sipas Qelajt, mospërfshirja e komunitetit serb në regjistrimin e popullsisë është i dëmshëm për vetë ta. Ai ka thënë se mosregjistrimi mund të sjellë pasoja e qasja e serbëve sipas tij “është e gabuar”.

“Bojkoti që sa duket po ndodh edhe pse nuk dua ta quaj të tillë, mospërfshirja e komunitetit serb në regjistrim, konsideroj që është një dëm i madh që i bëhet vetë këtij komuniteti. Është një e drejtë e pasanksionuar në legjislacionin tonë dhe si e tillë mund të shfrytëzohet apo mund të mos shfrytëzohet nga qytetarët. Por, që e konsideroj gabim, sepse mosregjistrimi i qytetarëve të komunitetit serb do të sjellë pasoja për vetë ata dhe unë besoj që kjo është një qasje e gabuar në raport me interesin dhe me të drejtat që i kanë vetë qytetarët e këtij gabimi”, ka deklaruar Avokati i Popullit.

Duke folur për Ligjn për Zgjedhje, Qelaj tha se nuk do t’u përgjigjet deklarimeve të Qeverisë, por shtoi se ai ka kaluar në procedura të përshpejtuara dhe pa diskutim publik.

“E mira e punës së Avokatit të Popullit është që kritikave nuk iu përgjigjet me kritika, nuk u jep as përgjigje, ngase në punën tonë ne jemi të pavarur, edhe kjo pavarësi është e garantuar me mekanizma që i japin një peshë të veçantë institucionit të Avokatit të Popullit. Dhe mendoj që është një vlerë e jashtëzakonshme në shoqërinë tonë dhe në sistemin tonë kushtetues. Në çdo rast ku unë konstatoj që ka shkelje të të drejtave të njeriut, reagoj dhe këtë dua ta bind çdo qytetar, secilën palë që kjo ndodh gjithmonë në institucion, pavarësisht faktit që i bie mirë dikujt apo jo”, u shpreh ai.

Sipas Qelajt, e vetmja zgjidhje për këtë çështje është interpretimi nga Gjykata Kushtetuese.

Qelaj thotë se të vetmen zgjidhje ka pasur kërkim të interpretimit nga Kushtetuesja.