Lajme

Qasja në pronë dhe trashëgimi – kërkohet revolucion për gratë e komuniteteve dhe personave me nevoja të veçanta

11/12/2024 18:04
nga:Genita C

Qasja në pronë dhe trashëgimi nga gratë e komuniteteve që jetojnë në Kosovë, por edhe nga personat me nevoja të veçanta është sfiduese, pasi përballen me diskriminime në forma të ndryshme gjë e cila vështirëson integrimin e tyre në shoqëri.

Po ashtu mungesa e informacionit ka ndikuar që ato gra të mos i njohin të drejtat e tyre.

Andaj, për tu dëgjuar zëri i tyre duhet të iu krijohet një qasje gjithëpërfshirëse, e cila do ti kontribuonte një ambienti të barabartë dhe të drejtë për të gjithë.

Gratë serbe e boshnjake përballë normave patriarkale dhe në mungesë të informacionit

Në prononcimin e tij, Nenad Rasić, ministër i Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, në Qeverinë e Kosovës, ka bërë të ditur se gratë e komunitetit serb në Kosovë, shpeshherë përballen me disa sfida të veçanta në lidhje me të drejtat e pronës. Ndër to, ndikimet kulturore dhe tradicionale shpesh ndihmojnë në mbajtjen e normave patriarkale që e kufizojnë qasjen e tyre në prona.

“Shpesh, ato nuk janë të përfshira në proceset vendimmarrëse lidhur me pronën dhe trashëgiminë, duke i bërë ato më të varura nga burrat në familje. Ndërkohë, mungesa e ndërgjegjësimit dhe informacionit për të drejtat ligjore, gjithashtu kontribuon në këtë situatë”, ka potencuar ministri Rasić.

Tutje, ka thënë se përmirësimi i qasjes dhe fuqizimi i grave serbe në pronë kërkon një qasje të koordinuar, duke përfshirë edukimin, mbështetje ligjore dhe përfshirjen e tyre në proceset e vendimmarrjes.

“Kjo do të ndihmojë në avancimin e barazisë dhe forcimin e rolit të grave në shoqërinë e Kosovës”, ka përfunduar Nenad Rasić.

Ndërsa, Duda Balje, deputete e Kuvendit të Kosovës, nga radhët e komunitetit boshnjak, ka thënë se gratë e komunitetit të saj, në fillim e kanë konsideruar si turp me marrë pronën dhe trashëgiminë nga vëllau, se ashtu ka qenë tradita, pra duke mos pas informacione se ato i merr nga babai.

“Femrat nuk kanë pranuar të marrin hise për shkak të respektit ndaj vëllaut. Por, kohëve të fundit kanë fillu me ndryshu. Duke filluar nga vetja ime, ku pronat i kam së bashku me burrin, dhe gjithashtu planifikojmë që pronat tona t’i ndajmë në tri pjesë, dy djemve dhe vajzës”.

Deputete Balje, ka shtuar se në përgjithësi situatën nuk e kanë të qartë, apo të definuar siç duhet, sidomos në vendet rurale, pasi ekzistojnë familje që hezitojnë që vajza e tyre ta trashëgoj pjesën që i takon.

“Në vendet rurale është më e shprehur, në qytete më pak. Sepse në vendet rurale edhe prona është më e kufizuar, sepse edhe kur dojnë me nda s’dihet e kujt është dhe kërkojnë ndihmë për të siguruar në emrin e kujt ka qenë”, është shprehur ajo.

Tutje, Balje, ka ndarë detaje nga rasti i një nëne vetushqyese, të cilës i kishte vdekur bashkëshorti, e për të cilën u deshtë sigurimi i ndërtimit të një shtëpie përmes ministrisë, por që kushti ishte që ajo të kishte tokë në emrin e vet.

“Ne kemi insistuar që baba i saj me ia nda pronën 100 metra katror veq me bërë një shtëpi. Katër ditë kemi pritë, baba bashkë me katër vëllezërit e saj, për me vendos me ia jap tokën një gruaje vetushyqese. Nëpër fshtrat boshnjake d.m.th., ende e kemi këtë traditë, pra jemi më të mbylltë por, kemi fillu me ndryshu. Pra, si hap të parë ne veç kemi fillu me bisedu, pra ne jemi duke e qitë në tavolinë se sikur djali edhe vajza është evlad. Unë, mendoj se jemi në rrugë të mirë për me ndryshu gjendjen edhe shpresoj se së shpejti kemi me qenë të barabartë në hise”, ka shtuar deputetja Balje.

Duda Balje, thekson se një nga pengesat në shoqëritë tona është se në momentin kur bëhet fjalë për ndarjen e pronës dhe trashëgimisë te vajzat, menjëherë konisderohet që iu është ndarë dhëndrrit.

“Te ne bisedat janë se dhëndrri ka me marr hise, është interesant se në momentin që bisedohet për hise për vajzën direkt e konsiderojnë që ajo hise i shkon dhëndrrit. Por, prapë se prapë mendoj se situata është më mirë seç ka qenë, mendoj që edhe femrat janë vetëdijësu shumë. Më e rëndësishme është që, ne, me e diskutu këtë temë, se tek fundja nuk je duke e marrë hisen prej vëllaut, por prej babës”.

Balje, konsideron që kanë ndiku shumë faktor që kjo situatë po ndryshon për mirë çdo ditë e më shumë.

“Por, nëse e krahasojmë me vitet e mëhershme, kur djemt janë kujdes për prinderit, sot, kemi një situatë ndryshe. Ku në ditët e sotme, nuset nuk janë duke dashtë me jetu me prindërit e bashkëshortit. Pastaj, djemt më shumë po ikin me jetu jashtë dhe më së shumti vazjat po qëndrojnë me prindërit”, ka përfunduar deputetja Duda Balje.

Personat me nevoja të veçanta (s’) gëzojnë të drejtën e pronës dhe trashëgimisë

Kryetari i Shoqatës së të Verbërve të Kosovës, Daut Tishuki, në prononcimin e tij, ka mohuar të ketë raste kur anëtarët e shoqatës që drejton të kenë pasur ndonjë telashe në qasjen e pronës dhe të trashëgimisë.

“Nuk kemi pas raste ku anëtarët e shoqatës tonë kanë pas probleme rreth çështjes pronësore ose të trashëgimisë. Deri më tani në këtë fushë nuk kanë pas probleme ose nuk i kanë lajmëru. Unë, personalisht nuk kam pas asnjë telashe, as nuk njoh të vërbër që kanë pas telashe në këtë drejtim”, ka bërë të ditur Tishuki.

Ndërsa, është zotuar që edhe ai vet nuk do të jetë diskriminues te fëmijët e tij në ndarjen e pronës dhe trashëgimisë.

“Unë, kam dy djem e një vajzë, akoma nuk ka ardhë koha t’ju ndajë trashëgiminë por, kur të vjen ai moment sigurisht që do t’i ndajë në mënyrë të barabartë. Sepse të gjithë duhet t’i gëzojnë të drejtat e barabarta”, ka theksuar Tishuki.

Ndërsa, artistja nga Prizreni, Yllka Berisha, e cila është anëtare e Shoqatës së të Verbërve të Kosovës, ka thënë se në Kosovë mbretëron akoma një frymë patriarkale, andaj deri vonë kemi hasur shumë shpesh të dëgjojmë raste të ndryshme që kanë ndodhur ndasi mes dy gjinive e lëre më komunitetin me nevoja të veçanta, e për këtë duhet të lobojmë për një revolucion të ri.

“Unë, si Yllka Berisha, pse mos ta kem qoftë edhe një pjesëz toke të vogël, apo çkado qoftë ajo, përderisa më takon. Pse mos ta kem”, është shprehur ajo.

Por, Berisha, e cila ka edhe një motër dhe vëlla potencon që në familjen e saj ende nuk janë ndarë pronat dhe trashëgimia por, pohon që në familjen e saj respektohet barazia.

“Çkado që është ndarë ose çkado që është biseduar gjithmonë e informuar kam qenë edhe unë, edhe në vendimmarrje kam qenë edhe unë. Por, nuk kam përvojë sa i përket ndarjes së pronave sepse ende s’ka ndodhë, andaj edhe unë di si të përgjigjem nga tani”, ka thënë Yllka Berisha.

Sfidë dhe shpresë/ Revolucion për barazi

Violeta Thaçi nga Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptasve, qasjen e grave në pronë e trashëgimi e ka komentuar duke u bazuar në punën e saj nga terreni në disa komuna të Kosovës.

“Nga këndvështrimi i observuar nga vizitat e shumta në terren, në komunat në të cilat kam punuar, si Lipjan, Prizren, Gjakovë, Ferizaj, Klinë, Pejë, Gracanicë, Fushë Kosovë e Vushtrri kam vizituar mbi 500 familje. Situata e grave në komunat Prizren dhe Gjakovë është pak më e mirë sa i përket pozicionimit të tyre brenda familjes, mirëpo në komunat e tjera problematikat me të cilat kam hasur janë të shumta. Mungesa e edukimit shkollor thuajse te të gjitha gratë ka qenë evidente (lirisht mund të them dikund 90%), janë martuar shumë të reja dhe shumica kanë pasur 4-5 e më shumë fëmijë”, ka treguar Thaçi.

Tutje Thaçi, ka theksuar se asnjë grua nuk e ka rastisë që ka tashëguar ndonjë të mirë materiale nga familja e tyre, e as pronë. E, për këtë ajo radhitë disa nga arsyet që kanë çuar në këtë gjendje.

“Arsyeja e nivelit të ultë të edukimit shkollor, ku gratë nuk janë të vetëdijshme për ligjin i cili ju jep të drejtë tashëgimore; Shkalla e varfërisë e lartë e familjeve të tyre e cila ka ndikuar në mos mundësi të lënë trashëgimi për vajzat; Mentaliteti se vajza nuk konsiderohet trashëgimtare; Prindërit në përgjithësi të këtyre vajzave nuk posedojnë prona në emrin e tyre dhe normalisht që s’mund as ta pasojnë trashëgiminë”, ka thënë Thaçi, duke shtuar se asnjë grua e komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian, të moshës nga 20 vjet e më lart nuk posedojnë asnjë trashëgimi, në komunat e lartëpërmendura.

Urma Menekshe, mësuese rome, njëherit themeluesja e Bibliotekës së Parë Rome, në Kosovë, ka treguar se me vdekjen babait të saj, prona është ndarë në mënyrë të barabartë te nëna, vëllëzërit dhe motrat e saj. “Dhe, jo vetëm prona por edhe kartelat bankare të babit janë ndarë në mënyrë të barabartë”, tregon Menekshe.

Tutje, ajo potencon se pronën e trashëguar do ta mbajë në emrin e saj derisa të martohet, pastaj “do ta shqyrtoj mundësin nëse dua apo nuk dua ta mbaj, pra do të vendosi me vullnetin tim me heq apo jo dorë”, thotë ajo.

Ndërkaq, thekson se, në të ardhmen fëmijëve të saj nuk do të kishte dëshirë që pronën dhe trashëgiminë t’iu ndante në mënyrë të barabartë.
“Aktualisht jam beqare, por mendoj që në të ardhmen fëmijëve të mijë nuk do të ju ndaj pronën në mënyrë të barabartë. Vajzave do t’ju ndaja më shumë hise sesa djemve. Sepse djemt e kanë më të lehtë të gjinden dhe të ndërtojnë shtëpitë e tyre, ndërsa vajzat ballafaqohen me shumë sfida gjatë rrugëtimit të tyre”, ka përfunduar Menekshe.

E për aktivisten rome, Melek Misini, qasja e grave nga Komunitetit Rom, Ashkali dhe Egiiptian në pronë dhe trashëgimi, në kohën e gjyshërve të saj, krahasuar me ditët e sotme është krejtësisht e ndryshme, pasi siapas saj, atë botë gratë nuk janë konsideruar as si “njeri”, por janë konsideruar të dobishme vetëm për puntë e shtëpisë e kujdesin ndaj rritjes së fëmijëve.

“Fjala trashëgimi kur është përmendur në takimet familjare, askujt nuk i ka shkuar mendja që edhe vajzat e asaj familje të gëzojnë pronat dhe trashëgiminë, shkaku i mentalitetit se vajzat martohen duke nënkuptuar se janë pjesëtare të një familje tjetër. Andaj, trashëgimtarët e vetëm duhet të ishin vetëm djemt”, thotë Misini.

Por, ajo, shprehet se tashmë kanë ndryshuar rrethanat pasi gratë tashmë po edukohen e kjo ka bërë që ato të respektohen dhe vlerësohen më shumë.

“Mendoj se tanimë gruaja e ka më të lehtë ta kërkon të drejtën që i takon dhe bisedat për qasjen e grave në prona dhe trashëgimi janë më të shpeshta”, ka theksuar Misini.

Në anën tjetër, Sejnur Veshall, aktivist i Shoqërisë Civile, qasjen e grave në pronë dhe trashëgimi e konsideron një tabu jo vetëm tek komunitetet e veçanta, por edhe në masën më të gjerë, sidomos ndër komunitetet në Kosovë, kryesisht tek romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët.

“Mund të vërehet një vetëdijësim në mesin e individëve që vijnë nga prapavijë akademike dhe janë aktivë në çështjet e të drejtave të njeriut, por në pjesën dërrmuese të komunitetit, diskutimet konkrete janë të pakta. Pra, ka probleme dhe nevoja të mëdha për proklamimin dhe diskutimin më të thelluar të kësaj teme”, tregon Veshall, i cili i përket komunitetit Rom.

Veshall, pohon se në shumë raste ka shkelje flagrante të të drejtave të njeriut në këtë drejtim, megjithatë, përvoja e tyre tregon se ndryshimet janë të ngadalshme, dhe mentaliteti mbetet i mbërthyer nga koncepti që pronësia familjare i përket vetëm burrave.

“Çdo gjë rreth trashëgimisë familjare duhet të jetë e balancuar. Besoj se rebelimi dhe kërkesat e vajzave për barazi, sidomos duke marrë parasysh mentalitetin e burrave, duhet të rriten”.

Sejnur Veshall, konsideron se barrierat largohen me edukim dhe se një gjë e tillë i ka kontribuar edhe familjes së tij, që sot nuk mbajnë peshën e diskriminit.

“Për shembull, shtëpia jonë është ndarë në gjysmë, gjysma është e babait dhe gjysma e nënës. Ne, ende diskutojmë se kjo nuk është shtëpia ime, por është e prindërve tanë, dhe ashtu do të trashëgohet si pronë e përbashkët e tyre”, ka përfunduar Veshall.

Gazetare: Mihane Hoxha