Ish ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skender Hyseni, ka folur për takimin Kosovë-Serbi që do të mbahet me 18 gusht në Bruksel, në kuadër të dialogut.
Ai në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se është për t’u përshëndetur qasja e re e duhur e Kurtit se është i interesuar t’i diskutojë elementet e marrëveshjes së përgjithshme.
Nëse ai mendon kështu, sipas Hysenit, ai e ka kuptuar se deri tani ka zhvilluar strategji të gabuar në dialog.
“Lexova këto ditë se Kurti kishte deklaruar se në takimin e 18 gushtit “ishte i interesuar të diskutonte elementet e marrëveshjes së përgjithshme”. Mirë shumë! Kjo është për t’u përkrahur sepse kjo është qasja e duhur e re e Kurtit. Natyrisht, nëse ai këtë e mendon dhe nëse përfundimisht e ka kuptuar se strategjia e deritashme e dialogut që ka zhvilluar ai në Bruksel ka qenë tërësisht e gabuar”, thotë ai.
Ish ministri vlerëson se Kurti duhet ta kuptojë se duhet të dialogojë atë që ka rëndësi primare, marrëveshjen me njohjen reciproke, që më pas i zgjidhë çështjet tjera, derisa shton se ai nuk duhet të bie në grackën e Serbisë dhe të diskutojë tema të veçanta.
“Kurti duhet përfundimisht ta kuptojë se në dialog duhet trajtuar vetëm atë që ka rëndësi primare, e që është arritja e një marrëveshje të përgjithshme me njohje të ndërsjellë, e cila rrjedhimisht dhe me automatizëm i zgjidhë të gjitha çështjet tjera midis Kosovës dhe Serbisë. Qeveria e Kosovës nuk duhet të bie në grackën e Serbisë duke bërë dialog për çështje të veçanta, sepse kjo qasje dialogun e degradon dhe si rrjedhim sjellë forcimin e status-quosë, që është interes jetik i Serbisë dhe Rusisë”, thekson Skender Hyseni për Gazeta Blic.
Ai shton se Kurti duhet ta zbatojë formulën e qeverisë Hoti, që fillimisht të nënshkruhet marrëveshja e përgjithshme me njohje dhe më pas të nis zbatimi e zotimeve.
“Kurti duhet t’i kthehet formulës dhe platformës që e kishim vendosur ne gjatë qeverisë Hoti, e cila konsistonte në qëndrimin se së pari duhet të diskutohen elementet e marrëveshjes së përgjithshme duke përfshirë njohjen dhe të nënshkruhet ajo! E Vetëm pas nënshkrimit dhe njohjes do të fillonte zbatimi i zotimeve të marra me marrëveshjen e përgjithshme. Marrëveshja e përgjithshme i bën lehtë të zgjidhshme dhe madje tërësisht të parëndësishme shumë nga marrëveshjet e veçanta. Përderisa Serbia insiston se normalizimi mund të vije përmes zbatimit të marrëveshjeve të veçanta, Kurti duhet të insistojë që së pari duhet të ndodhë normalizimi dhe njohja, e pastaj zbatimi”, potencon Hyseni.
Ish ministri i jashtëm tregon dhe gabimin më të madh të Kurtit në dialog, duke pranuar të bisedojë e negociojë në Bruksel për tema të veçanta, teksa thekson se BE dhe Serbia kanë kohë por jo edhe Kosova.
“Pra është formula serbe ‘përmes zbatimit deri te normalizimi’, ndërsa e jona duhet të jetë ‘përmes normalizimit deri te zbatimi’. Qeveria Kurti deri tani ka bërë një gabim të madh që ka pranuar të bisedojë e negociojë në Bruksel për tema të veçanta. Brukseli ka kohë sa të duash. Nuk lodhet. Edhe Serbia ka kohë sa të duash. Kosova nuk ka shumë kohë për ta zgjidhur këtë problem sepse mos mbyllja e këtij problemi po reflekton shumë keq në zhvillimin ekonomik, në tërheqjen e investimeve të huaja dhe në shumë fusha të tjera”, deklaron Skender Hyseni për Gazeta Blic.
Ai nuk është optimist për normalizim me Serbinë, pasi Kurti është tërhequr nga parimi i vendosur në vitin 2020.
“Nuk e kuptoj pse Qeveria Kurti është tërhequr nga parimi në dialog të cilin e kemi vendosur në vitin 2020. Prandaj nuk jam shumë optimist që të arrihet asnjë lloj normalizimi me Serbinë përmes marrëveshjeve parciale të cilat edhe ashtu janë vështirë të zbatueshme pa një marrëveshje të përgjithshme dhe njohje”, shton ai./Gazeta Blic/