Gjatë ditës së sotme në mediat vendase ka qarkulluar dokumenti, për të cilin pretendohet dhe është raportuar se është dëshmia e ndarjes mes kryeministrit aktual, Albin Kurti dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në këtë dokument, për të cilin thuhet se i takon zyrës së Adem Demaçit,pjesë e së cilës atëbotë ishte edhe Kurti, dhe i cili bartë datën 2 mars 1999, jepet lajmi i ndarjes së zyrës së Demaçit me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, për shkak të mospajtimit të kësaj me vendimin e delegacionit të Kosovës për të nënshkruar Marrëveshjen e Rambujesë.
“Zyra e Udhëheqësit Politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës z. Adem Demaçi, ka kryer me nder, përpikëri dhe ndërgjegje të lartë punën, aktivitetin dhe detyrat e veta. Ajo me konsekuencë është bazuar dhe ka ndjekur konceptet, parimet dhe bindjet e veta, të cilat janë materializim i vullnetit politik të popullit të Kosovës të shprehur në Referendumin e shtatorit të vitit 1991. Zyra jonë dhe UÇK-ja kishin parime, ideale dhe koncepte të njëjta. Mirëpo, me daljen në shesh të disa individëve nga radhët e UÇK-së, që po përgatiten të miratojnë marrëveshjen e Rambujesë, punët ndryshuan. Ky numër individësh, në këtë mënyrë, braktisën parimet themelore të UÇK-së dhe obligimin ndaj vullnetit politik të popullit, të shprehur në Referendumin e 1991-tës”, thuhet në atë deklaratë.
Gjatë ditës së sotme, PSD ka mbajtur një aksion simbolik para Qeverisë së Kosovës, ku kryeministrin aktual Kurti, që është edhe veteran lufte, e kanë shpallur “veteran të rrejshëm”.


