Peja arriti finalen e Superkupës së Kosovës në basketboll duke e mposhtur Yllin në gjysmëfinale.
Peja ishte në disavantazh për pjesën më të madhe të duelit, por pejanët arritën ta përmbysin rezultatin duke fituar në fund me rezultat 72-79, shkruan GazetaBlic Sport.
Në finalen e sotme, Peja do ta ketë përballë Trepçën e cila triumfoi ndaj Prishtinës me rezultat 68-65.
Për finalen e sotme për “GazetaBlic Sport” ka folur basketbollisti, Arian Qallaku.
Qallaku tha se fitorja ndaj Yllit ishte e merituar pasi skuadra e tyre nuk u dorëzua asnjëherë pavarësisht disavantazhit.
“Po, ndeshja me Yllin ishte e vështirë dhe shumë e fortë, por ne nuk u ndalëm në asnjë moment. Mendoj që në çerekun e 4’të e bëmë atë rikthimin në ndeshje dhe në fund mendoj që fituam me meritë”, tha fillimisht ai.
Qallaku potencon se Peja ka bërë përgatitjet e duhura për finalen ndaj Trepçës dhe thotë se kanë besim për rezultat pozitiv në duelin e sotëm.
“Në finalen e sotme, besoj poashtu se do të jetë një lojë shumë e fortë. Ne kemi bërë të gjitha përgatitjet për këtë ndeshje dhe shpresoj që të dalim me një rezultat pozitiv”, përfundoi Arian Qallaku për GazetaBlic Sport.


