Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj, ka deklaruar se për Kosovën është momenti i fundit që “t’i kryejë detyrat e shtëpisë”, ndonëse e quan si humbje të hapit.
Në emisionin “Debat Plus”, Qalaj thotë se për banorët e saj, Kosova është gjithçka por Amerika i mbron interesat e saj kudo në botë.
Ai madje thotë se deklaratat e të dërguarit të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, kanë të bëjnë me zhvillimet e fundit që po bëhen në Amerikë, duke asociuar në vitin elektoral.
“Për ne si banorë të Kosovës, Kosova është gjithçka. A është gjithçka për Amerikën Kosova. Amerika i mbron interesat e saj kudo në botë dhe edhe deklarata e Escobarit ka të bëjë me zhvillimet që po bëhen në SHBA. Është vit elektoral, të gjitha sondazhet tregojnë se Trump do t’i fitojë zgjedhjet. Është ardh në pyetje se si do të funksionojë NATO-ja… Në raport me ne, është treni i fundit që ne t’i kryejmë detyrat e shtëpisë, dhe ne e kemi humbur hapin”, tha ai.