48 zyrtarë policorë kufitar dhe dy doganierë janë arrestuar sot nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) në koordinim me Policinë e Kosovës.
Pas një hetimi që ka zgjatur dhjetë muaj, 50 zyrtarët e arrestuar dyshohet për veprën penale “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar”.
Rashit Qalaj, ish-drejtor i Policisë së Kosovës, në një intervistë për portalin “Front Online” ka theksuar se IPK-ja duhet përgëzuar për punën që po bëjnë, përderisa ka shtuar se ministrat e Qeverisë “Kurti” duhet të jenë më të kujdesshëm me deklaratat duke tentuar të marrin merita për arrestimet, pasi që, siç thotë ai, po e zbehin suksesin e aksionit të sotëm.
“Unë e përgëzojë Inspektoratin Policor për aksionin e sotëm dhe kërkoj që mos të ndalen në punën e tyre. Por, kërkoj nga ministrat e Qeverisë aktuale mos ta zbehin suksesin e aksionit me deklarata politike, sepse kjo nuk është punë e tyre”, ka potencuar Qalaj.
Ish-drejtori i Policisë së Kosovës ka potencuar se aksione të tilla si ky i sotmi, ku u arrestuan 48 zyrtarë policorë dhe dy doganierë, ka pasur edhe në të kaluarën.
“Në maj të vitit 2019 ka qenë një operacion që është zhvilluar në veri të vendit, me ç’rast ishin arrestuar të gjithë të dyshuarit për vepra kriminale”, ka pohuar Qalaj.
Sipas tij, përpos aksionit të vitit 2019 në veri të Kosovës, ku edhe në atë kohë ka qenë cak policia kufitare, në shtator të vitit 2020 ishte zhvilluar edhe aksioni në Karaqevë të Kamenicës, ku ishin arrestuar disa policë kufitarë.
Përkundër arrestimeve të tilla, Qalaj për FrontOnline tha se Policia e Kosovës mbetet Policia më e pakorruptuar në rajon.
“Unë them se Policia e Kosovës është lartë më mirë se të gjitha policitË që kemi në rajon e jo vetëm në rajon. Por si në çdo Polici ka individë që veprojnë në kundërshtim me Ligjin dhe për këtë arsyeje janë arrestuar ata”, ka potencuar Qalaj


