Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se ka dorëzuar ankesë në Gjykatën Supreme kundër vendimit të PZAP-së për ndalimin e votimit të bashkatdhetarëve në qendrat e votimit jashtë objekteve të përfaqësive diplomatike.
Ky subjekt politik po thotë se Ligji për Zgjedhjet “qartazi parasheh mundësinë e hapësirave jashtë objekteve të përfaqësive diplomatike, të marra nën administrim të përfaqësive diplomatike, me qëllim të krijimit të mundësive reale për të votuar për të gjithë shtetasit”.
“Ligji për Zgjedhje jo që nuk e ndalon, përkundrazi krijon bazë të mjaftueshme për KQZ-në për të krijuar hapësira që garantojnë qasje për votuesit”, thuhet në reagimin e LVV-ë.
Kjo parti thotë se edhe standardet ndërkombëtare të mishëruara në opinionet e Venecias dhe dokumentet tjera “afirmojnë votimin fizikisht jashtë vendit në vendvotimet e hapura për këtë synim, sikurse edhe praktikat e vendeve të shumta me infrastrukturë ligjore të ngjashme konfirmojnë si legjitime e të zakonshme hapjen e vendvotimeve jashtë vendit”.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e kishte pranuar ankesën e LDK-së përkitazi me vendimin e KQZ-së për të organizuar qendra votimi jashtë objekteve të përfaqësive diplomatike jashtë vendit për zgjedhjet e 28 dhjetorit.


