Lajme

Putini viziton urën që u shkatërrua nga bomba në Krime

12/05/2022 20:27
nga:G B

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka inspektuar një urë të Krimesë që u dëmtua nga një sulm me bombë në tetor.

Imazhet e televizionit shtetëror rus shfaqën Putinin duke ecur nëpër urën e rindërtuar gjatë një vizite të hënën pasdite, shkruan Euronews.

Ai foli gjithashtu me punëtorët dhe diskutoi për riparimet e urës së Kerçit me një zyrtar të lartë qeveritar përgjegjës për projektin.

Kjo ishte vizita e tij e parë në gadishull që kur Rusia pushtoi Ukrainën më 24 shkurt.

Sulmi me bombë në urë ndërpreu udhëtimet midis Rusisë dhe Krimesë, e cila u aneksua nga Moska në 2014.

Rusia fajësoi për “aktin terrorist” inteligjencën ushtarake ukrainase dhe u përgjigj me një valë sulmesh në infrastrukturën energjetike të Ukrainës.

Shërbimet e sigurisë ruse (FSB) fillimisht arrestuan tetë persona të dyshuar për përfshirje në sulmin me bombë, duke përfshirë pesë rusë dhe “tre shtetas ukrainas dhe armenë”.

Zyrtarët ukrainas nuk e kanë marrë drejtpërdrejt përgjegjësinë, pavarësisht se publikisht bënë shaka për shpërthimin dhe talleshin me Rusinë.

Vizita e Putinit në urë vjen pasi Ukraina raportoi për një breshëri të re raketash ruse të hënën.

Moska gjithmonë ka mohuar se ka shënjestruar civilët dhe thotë se dështimi i Kievit për të negociuar është fajtor për goditjet në sektorin energjetik të Ukrainës.

Qeveria ruse kohët e fundit tha se po kryente gjithashtu “punë fortifikuese” në Krime për “të garantuar sigurinë e Krimesë”.

Sergei Aksionov, guvernatori i instaluar nga Rusia theksoi se siguria e Krimesë varej “kryesisht nga masat që do të zbatoheshin në rajonin Kherson”.