Lajme

Putini uron Trumpin për fitoren në zgjedhje

11/07/2024 21:32
nga:G B

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka uruar Donald Trumpin për fitoren në zgjedhjet presidenciale amerikane të mbajtura më 5 nëntor.

Këto janë deklaratat e para publike të udhëheqësit rus lidhur me rezultatin e zgjedhjeve amerikane, ku Trump mposhti nënpresidenten demokrate, Kamala Harris.

Putin uroi Trumpin pas një fjalimi që mbajti gjatë një konference ndërkombëtare në Soçi në Detin e Zi.

“Dua ta shfrytëzoj këtë mundësi që ta uroj atë për zgjedhjen si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha Putin.

I pyetur nëse është i hapur për të mbajtur bisedime me Trumpin, udhëheqësi rus tha: “Jam gati”.

Putin shtoi se Trumpi ka thënë se “ka dëshirë të rivendosë raportet me Rusinë, për të ndihmuar në përfundimin e krizës ukrainas dhe për mendimin tim, ai të paktën meriton vëmendje”.

I pyetur se çfarë pret nga mandati i dytë i Trumpit si president, Putin tha “nuk e di se çfarë do të ndodhë tani, nuk e kam idenë”.

“Për të, ky do të jetë mandati i fundit presidencial. Ai do të bëjë punën e tij”, tha Putin.

Gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale, Trump kishte deklaruar se nëse zgjidhej president, ai do t’i jepte fund shumë shpejt luftës që Rusia nisi kundër Ukrainës më 2022. Po ashtu, ai ka kritkuar dihmën miliardëshe që SHBA-ja i ka dhënë Ukrainës.

Më herët, Kremlini kishte mirëpritur pretendimin e Trumpit se mund të negociojë përfundimin e luftës në Ukrainë “brenda 24 orëve”, por theksoi se do të presë për hapa konkretë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha më herët gjatë ditës se nuk përjashtohet mundësia e bisedimeve mes Putinit dhe Trumpit, para inaugurimit të këtij të fundit më 20 janar 2025.

Më herët gjatë 7 nëntorit, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha do të ishte “vetëvrasëse” për Evropën nëse i ofron koncesione Kreminit për të ndalur pushtimin e Ukrainës.

Ai kritikoi ata që i bëjnë thirrje Ukrainës që të plotësojë disa nga kërkesat e presidentit rus, Vladimir Putin, dhe i bëri thirrje Evropës dhe Shteteve të Bashkuara që të mos i dobësojnë raportet pas zgjedhjes së Donald Trumpit president të SHBA-së.

Rusia ka paraqitur disa kërkesa për luftën në Ukrainë, sikurse është marrja e kontrollit të plotë të pesë rajoneve ukrainase, edhe të pjesëve që akutalisht kontrollohen nga Kievi. Po ashtu, Moska kërkon që të ketë një ndalesë të përhershme për anëtarësimin e Ukrainës në NATO./REL