Lajme

Putin paralajmëron Izraelin për nisjen e një sulmi tokësor në Gaza

10/14/2023 07:14
nga:Y I

Presidenti rus Vladimir Putin ka paralajmëruar Izraelin se kryerja e një operacioni tokësor në Rripin e Gazës do të gjenerojë një numër “absolutisht të papranueshëm” të viktimave civile.

Kreu i Kremlinit tha gjithashtu se gjakderdhja në Lindjen e Mesme duhet të ndalet.

Putin tha se Izraeli i ishte nënshtruar një “sulmi të paprecedentë të mizorisë” dhe se kishte të drejtën e mbrojtjes.

“Dhe më e rëndësishmja, viktimat civile do të jenë absolutisht të papranueshme. Aktualisht, objektivi kryesor është ndalimi i gjakderdhjes”, tha Vladimir Putin, i pranishëm në samitin në Kirgistan.

“Rusia është e gatshme të koordinohet me të gjithë partnerët në mënyrë konstruktive”, shtoi ai.

Ushtria izraelite të premten u bëri thirrje 1.1 milionë palestinezëve që jetojnë në qytetin e Gazës që të largohen për në zonat e Rripit jugor të Gazës në 24 orët e ardhshme.

Udhëheqësi i Kremlinit beson se mënyra për t’i dhënë fund konfliktit izraelito-palestinez është krijimi i një shteti të pavarur palestinez me Jerusalemin Lindor si kryeqytet.

Rusia ka marrëdhënie diplomatike me Izraelin, palestinezët, grupe të tilla si Hamasi dhe Hezbollahu, Irani, si dhe fuqitë e mëdha arabe.

Rusia ka forcuar marrëdhëniet e saj me Izraelin që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991.

Nga ana tjetër, qeveria në Tel Aviv ka mbajtur një qëndrim të kujdesshëm në lidhje me kritikimin e Moskës për pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022.

/Euronews Albania/