Lajme

Putin i bindur: Perëndimi nuk do të mund ta refuzojë energjinë ruse për kohë të gjatë

06/10/2022 18:30
nga:Astrit Gashi

Presidenti rus Vladimir Putin thotë se Perëndimi nuk do të jetë në gjendje ta refuzojë naftën dhe gazin rus për vite me radhë. Ai shtoi se askush nuk e di se çfarë mund të ndodhë, kështu që kompanitë ruse nuk do t’i “betonizojnë puset e tyre të naftës”.

BE aktualisht importon rreth 40% të gazit të saj nga Rusia, por është zotuar ta zvogëlojë varësinë nga nafta ruse me 90% deri në fund të vitit 2022, por deri më tani nuk ka marrë asnjë angazhim për gazin.

SHBA ka vendosur një embargo për të gjitha produktet ruse të energjisë.

Kufizimet në energjinë ruse janë krijuar për të ndëshkuar Moskën për pushtimin e Ukrainës.

Por rritja e çmimeve globale të naftës dhe gazit mund të ketë bërë që fitimet ruse të jenë rritur muajt e fundit, pavarësisht një reduktimi në furnizimin e përgjithshëm.

“Vëllimi i naftës po zvogëlohet në tregun botëror, çmimet po rriten”, -i tha presidenti Putin një grupi sipërmarrësish të rinj. “Fitimet e kompanisë po rriten.”

Presidenti rus mori pjesë në një ekspozitë në Moskë kushtuar 350-vjetorit të lindjes së monarkut rus Pjetri i Madh.

Sundimtari i shekullit të 18’të zhvilloi një luftë të gjatë territoriale kundër Suedisë, të cilën Putin dukej se e krahasonte me pushtimin e tij në Ukrainë.