Lajme

Putin flet për rënien fatale të avionit, kërkon hetim të plotë për tragjedinë

12/25/2024 15:51
nga:N K

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka shprehur ngushëllime për familjet e viktimave të aksidentit tragjik ajror pranë qytetit Aktau në Kazakistan.

”Një tragjedi ndodhi sot në Aktau. Një avion u rrëzua, njerëz humbën jetën dhe ka shumë të plagosur. Në emrin tuaj, dua të shpreh ngushëllimet e mia për familjet e atyre që humbën jetën dhe për të gjithë të lënduarit. Le të shpresojmë për shërimin e tyre të shpejtë”, tha lideri rus gjatë hapjes së një takimi joformal mes liderëve të vendeve anëtare të CIS.

Putin theksoi se në mëngjes kishte biseduar me presidentin azerbajxhanas Ilham Aliyev, i cili “kishte pothuajse mbërritur në Shën Petersburg, por duhej të kthehej në Baku”, për shkak se avioni që u rrëzua ishte i një linje ajrore azerbajxhanase.

”Do ta përsëris: le të shpresojmë për shërimin më të shpejtë të të lënduarve”, shtoi ai.

Avioni i tipit Embraer 190, që operohej nga Azerbaijan Airlines (AZAL), po fluturonte nga kryeqyteti i Azerbajxhanit, Baku, drejt Groznit, kryeqytetit të rajonit të Çeçenisë në Kaukazin e Veriut të Rusisë.

Avioni u rrëzua pranë qytetit Aktau më herët gjatë ditës së mërkurë.

Zyra e prokurorit të përgjithshëm të Azerbajxhanit njoftoi se 32 persona kanë mbijetuar, ndërsa Ministria e Emergjencave e Kazakistanit raporton për 29 të mbijetuar.

Putin ndër tjera bëri thirrje për një ‘hetim të plotë’ për të gjetur shkakun e rrëzimit që vrau dhjetëra pasagjerë në Ditën e Krishtlindjes.