Sporti

Pushtimi rus i Ukrainës: Si ka ndikuar lufta në futbollin evropian?

02/27/2022 09:19
nga:L J

Tensionet politike janë rritur në Evropë pas pushtimit rus të Ukrainës.

Ndeshjet e futbollit bëhen të parëndësishme në momente të tilla, por gjithsesi ballafaqimet nuk ndalen në vendet tjera të paprekura nga kjo luftë, përcjell GazetaBlic Sport.

Por, si ka ndikuar konflikti ushtarak në futbollin në Evropë? GOAL ka publikuar një artikull ku shpjegon në detaje se sa ka ndikuar lufta në futbollin evropian deri më tani.

Finalja e Champions League u zhvendos nga Rusia në Francë.

Ngjarja spektakolare e kompeticionit kryesor të UEFA-s për klube, finalja e Ligës së Kampionëve, u zhvendos nga Gazprom Arena në Paris pas pushtimit rus të Ukrainës.

Organi qeverisës i futbollit evropian konfirmoi vendimin për t’i hequr qytetit rus të drejtën për të mirëpritur finalen, dy ditë pas fillimit të pushtimit. Stade de France do të jetë nikoqirë i finales, e cila është planifikuar për në 28 maj.

Klubet dhe kombëtaret ruse dhe ukrainase do të luajnë në vende neutrale

Klubet dhe ekipet kombëtare nga Rusia dhe Ukraina që po garojnë në garat e UEFA-s do të duhet të luajnë lojërat e tyre në vende neutrale “deri në njoftimin e mëtejshëm”.

Kjo do të ketë një ndikim te Spartak Moska në Ligën e Evropës dhe gjithashtu në ekipin kombëtar të Rusisë, ndërsa përgatiten për një play-off të Kupës së Botës 2022 kundër Polonisë në mars. Nëse Rusia fiton kundër Polonisë, ajo do të duhet të luajë në një vend neutral kundër Suedisë ose Republikës Çeke.

Ukraina është gjithashtu në play-off të Kupës së Botës, por duke qenë se tashmë është caktuar si ekipi mysafir për rrugën e tyre, vendimi i UEFA-s nuk do të ndikojë në këto lojëra.

Varësisht se sa kohë mbetet në fuqi vendimi i UEFA-s, ai mund të ketë ndikim në ndeshjet e Ligës së Kombeve të Rusisë dhe Ukrainës. Ky kompeticion do të luhet në qershor dhe shtator 2022. Rusia është planifikuar të luajë kundër Islandës, Izraelit dhe Shqipërisë, ndërsa Ukraina është në një grup me Skocinë, Irlandën dhe Armeninë.

Lëvizja nga UEFA erdhi mes presionit nga shoqatat kombëtare që do të luajnë kundër Rusisë dhe Ukrainës. Federata polake, suedeze dhe çeke lëshuan një mesazh për FIFA-n duke deklaruar pikëpamjen e tyre se Rusisë duhet t’i hiqet detyrat pritëse për ndeshjet play-off të Kupës së Botës.

Futbollistët organizojnë protesta kundër luftës

Përshkallëzimi i konfliktit ushtarak në Ukrainë pas vendimit të Rusisë për të pushtuar vendin ka bërë që një numër futbollistësh të shprehen kundër luftës.

Në atë që ishte padyshim ndeshja më e madhe e fazëas së eliminimit të Europa League, mes Barcelonës dhe Napolit, të dy grupet e lojtarëve pozuan përpara një pankarte ku shkruhej “STOP WAR”.

Yjet e futbollit ukrainas të profilit të lartë si ish-fituesi i Topit të Artë, Andriy Shevchenko dhe mesfushori i Manchester City, Oleksandr Zinchenko, postuan lutje emocionale për mbrojtjen e vendit të tyre.

Futbollisti ndërkombëtar rus Fyodor Smolov postoi mesazhin “Jo luftë!” në rrjetet sociale, ndërsa lojtari ukrainas i Atalantas, Ruslan Malinovskyi, zbuloi një fanellë ku shkruhej: “Jo luftë në Ukrainë” pasi shënoi kundër Olympiacos në Europa League.

Ish-trajneri i Romës, Paulo Fonseca, i cili është bllokuar në Kiev, e dënoi konfliktin si “një luftë të papranueshme”.

Të tjerët kanë qenë shumë më të çiltër në kritikat e tyre ndaj Rusisë, me ish-lojtarin gjerman Markus Babbel që e quajti Vladimir Putinin “një kokëçarës”.

Futbolli është pezulluar në Ukrainë

Jo rastësisht, futbolli është pezulluar në Ukrainë pas tensioneve dhe pasigurisë së vazhdueshme në rajon.

Klubet e futbollit ndalin bashkëpunimet me sponsorët rusë.

Manchester United ndali bashkëpunimin me linjën ajrore ruse Aeroflot jo shumë kohë pasi kompanisë iu ndalua të fluturonte në Mbretërinë e Bashkuar.

Në Gjermani, skuadra e Bundesligës Schalke do të heqë shkronjat e Gazprom – kompanisë shtetërore ruse të energjisë – nga fanella e tyre, ndërsa Matthias Warnig, i cili është përfaqësues i kompanisë, do të largohet nga bordi i klubit.

/GazetaBlic Sport