Lajme

Pushteti ka ndikuar në qasjen e Kurtit ndaj mediave, thotë Mushkolaj

10/08/2024 22:17
nga:G B

Kryeministri Albin Kurti, në mars të këtij viti, kishte deklaruar se prokuroritë në Kosovë shpesh përfshihen në hetime ndaj ministrive bazuar në raportime të mediave dhe se kjo, sipas tij, përbën një përndjekje të qëllimshme ndaj qeverisë. Ai kritikoi lidhjen mes publikimeve në portale dhe ndërhyrjeve të policisë në ministri.

Në këtë kontekst ka reaguar edhe analisti Imer Mushkolaj, i cili ka kritikuar jo vetëm Kurtin, por edhe të tjerë nga Lëvizja Vetëvendosje (VV) për sulmet e tyre ndaj mediave dhe organeve të drejtësisë. Mushkolaj e ka cilësuar gjest ironik që VV-ja, e cila dikur mbështetej në materialet që publikonin mediat, tani i kritikon.

Sipas Mushkolajt, nuk është e drejtë që çdo hetim apo veprim i drejtësisë të shihet si një sulm kundër VV-së.

“Gjithë materialin VV-ja e ka marr prej mediave. Pastaj a e ka vërtuar gjykata fajësinë apo pafajësinë nuk është punë e jona. Nuk mundesh me thënë që çdo lëvizje e prokurorisë ose organeve të drejtësisë është tendencioze kundër nesh. Ku po e bazon këtë fakt… Pa raportuar mediat në këtë vend 99 për qind e rasteve nuk ishin publiku. Ato që i dimë ne më të mëdha. Zoti Kurti veç mundet u tregu i tillë për shkak se është në pushtet, kur ka qenë në opozitë ka pas një qasje tjetër”, ka thënë Mushkolaj.