Lajme

Pushimet në Xhamajka zvarrisin gjykimin në rastin e Shyhrete Berishës

2 vite më parë
nga:Q R

Pushimet në Xhamajka të avokates Shpresa Rexhepi Berisha kanë zvarritur edhe më tej procesin gjyqësor në rastin e Shyhrete Berishës, e cila po vazhdon të kërkojë drejtësi për pronën me kunetërit e saj.

E mbijetuara e masakrës së familjes Berisha, tash e rreth dy dekada përballet me betejën për të drejtën e pronës së shtëpisë ku ajo ka jetuar së bashku me burrin dhe fëmijët e saj, të cilët janë vrarë nga forcat serbe në luftën e fundit në Kosovë.

Sikur seanca e 26 prillit, edhe ajo e së mërkurës është shtyrë me kërkesën e avokates që përfaqëson Xhemajl dhe Arben Berishën, e cila është arsyetuar se nuk e ka pranuar në emailin e saj raportin me sqarime shtesë të ekspertizës financiare.

Ajo ka thënë se për shkak se ka qenë në pushim vjetor dhe për shkak të disa problemeve teknike nuk ka pasur qasje në email.

Mirëpo, kjo kërkesë shkaktoi debat mes avokatëve, asaj të Shyhrete Berishës dhe familjarëve të saj, që i ka paditur.

Pavarësisht kërkesës se palës paditëse, gjyqtari Shaban Zeqiraj, nxjerri aktvendimin që të mbahet seanca dhe të administrohen provat e reja.

Ky aktvendim shkaktoi pakënaqësi, me ç’rast avokatja Shpresa Rexhepi Berisha kërkoi përjashtimin e gjyqtarit nga ky proces gjyqësor.

Mirëpo, kjo kërkesë e avokates u refuzua nga gjyqtari Zeqiraj.

Pas shumë replikave dhe debatit të gjatë, gjyqtari Shaban Zeqiraj ka shtyrë seancën gjyqësore për 5 gusht, me ç’rast është pajisur me kopje fizike të ekspertizës financiare avokatja Rexhepi Berisha.

Shyhrete Berisha i kishte mbijetuar masakrës së familjes në vitin 1999, ku forcat serbe ia kishin vrarë bashkëshortin dhe katër fëmijët.

Që nga paslufta, ajo ka nisur një betejë gjyqësore me kunatin e saj, Xhelal Berisha, i cili i kishte marrë shtëpinë në të cilën ajo kishte jetuar me familjen e saj.

Gjykata Themelore në Prizren, dega në Suharekë në fund të vitit 2021, e kishte aprovuar padinë e Shyhrete Berishës, së cilës i ishte njohur e drejta në pronë, mirëpo kunati i saj, ishte ankuar në Gjykatën e Apelit, e cila rastin e ka kthyer në rigjykim.