Turqia u zgjua nga një fatkeqësi e madhe mëngjesin e 6 shkurtit, pasi u godit nga një tërmet i tmerrshëm me magnitudë 7.7 ballë, epiqendra e të cilit ishte rrethi i Kahramanmaras.
Ky tërmet u dëgjua shumë edhe në zonën e Gaziantep, shkruan GazetaBlic Sport.
Në klubin e futbollit të Gaziantep F.K luan edhe futbollisti i njohur kosovar, Valmir Veliu, i cili “shpëtoi” mrekullisht nga kjo fatkeqësi.
Pas ndeshjes së fundit të klubit të tyre ndaj Antalyaspor, trajneri i dha ekipit disa ditë pushim, me ç’rast lojtarët ishin të lirë.
Në një bisedë me ‘GazetaBlic Sport’, Valmir Veliu njoftoi se ai ka qenë në Kosovë në momentin kur tërmeti i madh goditi Turqinë dhe se normalisht ai është në gjendje të mirë, pasi nuk përjetoi momentin e rëndë.
Padyshim moment fati për të, pasi tërmeti ishte mjaft i madh dhe la pasoja të mëdha në vende të ndryshme në Turqi.
Momentalisht të gjitha aktivitetet sportive në Turqi janë pezulluar për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme pas tërmetit të fuqishëm.
/GazetaBlic Sport


