Lajme

Punëtori u rrëzua në vendpushite dhe vdiq nga lëndimet, 2 vite burgim pronarit të kompanisë

02/14/2023 10:23
nga:N M

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 2 vite burgim efektiv të akuzuarin Zaim Ilazi për veprën penale “Punimet ndërtimore të kundërligjshme”.

Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Ilazi u shpall të martën nga gjykatësi i rastit Eroll Gashi.

Ilazi akuzohej se në vitin 2006, në cilësinë e pronarit të firmës ndërtimore “Besimi” nuk ka siguruar vendin e punës, ku është rrëzuar punëtori tani i ndjeri A.B dhe nga lëndimet e marra ka humbur jetën.

Sipas këtij aktgjykimi, dënimi i shqiptuar me burgim do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Lidhur me dënueshmërinë prej dy viteve burgim, gjykatësi Gashi tha se për këtë rast ka kaluar një kohë shumë e gjatë, mirëpo lëndën e ka pranuar në vitin 2021.

I akuzuari obligohet që të paguajë edhe shpenzimet procedurale dhe atë për paushallin gjyqësor shumën prej 50 euro, ndërsa 20 euro për fondin e kompensimit të viktimave të krimit.

Për realizimin e kërkesës pasurore-juridike pala e dëmtuar është udhëzuar në kontest civil.

Kundër këtij aktgjykimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

Sipas aktakuzës së ngritur në shkurt të 2008-ës, nga Prokuroria Publike e Qarkut, Zaim Ilazi akuzohej se më 10 nëntor 2006, në rrugën “Lidhja e Prizrenit” në Fushë-Kosovë në cilësinë e pronarit të firmës ndërtimore “Besimi” nuk ka krijuar kushte për siguri në punë dhe mbrojtje të shëndetit të punëtorëve.

Në aktakuzë thuhet se objekti nuk ka qenë i siguruar, ku si shkak nga një lartësi prej 12 metrave është rrëzuar tani i ndjeri A.B, i cili pas lëndimeve të marra ka vdekur.

Me këtë, Ilazi akuzohej se kryer veprën penale “Punimet ndërtimore të kundërligjshme” nga neni 294 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të Kodit të Përkohshëm Penal, vepër kjo e dënueshme me burgim prej një deri në tetë vjet. /BetimipërDrejtësi

Raportuesi për Serbinë në PE: Dialogu Kosovë-Serbi s’ka kthim prapa