Lajme

Punëtorët teknikë të Spitalit në Gjakovë, nga e hëna do hyjnë në grevë nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre

03/28/2023 19:01
nga:G B

Punëtorët teknik të Spitalit Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë, nga dita e nesërme, deri të premten do të protestojnë në shenjë pakënaqësie me pagat e tyre.

Kryetari i Federatës Sindikale të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, bëri të ditur se ne qoftë se nuk do të ketë reflektim nga Ministria e Shëndetësisë, nga dita e hënë do hyjnë në grevë.

“Që nga dita e nesërme, deri të premten do të bëhen protesta. Pothuajse, gati 70 përqind të shërbimeve nuk do të kryhen dhe nëse nuk do të reflektojnë Ministria e Shëndetësisë së bashku me drejtorinë e Qendrës Spitalore në Gjakovë, nga dita e hënë do të hyjmë në grevë. Vetë fakti që punëtorët marrin pagë rreth 270 euro, me të gjitha këto obligime, me të gjitha këto ngarkesa që i kanë dhe nuk paguhen. Sallat e operacionit, banjot dhe qendrat emergjente duhet të pastrohen, megjithatë, mua më është thënë që nëse nuk do  të ketë reflektim, nuk do i bëjnë as këto”, deklaroi Azemi në emisionin “Ditari” në Tëvë1.

Andaj, Azemi tha se aktualisht punëtorët teknik në spitalin “Isa Grezda”, marrin pagë rreth 277 euro, mirëpo tani me kërkesë të marrin 450 euro.

Azemi tregoi se ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, rreth një javë më parë u ka kërkuar dy javë kohë, mirëpo siç tha ai, tani ka kaluar një muaj pa përgjigje nga ai.

“Diku para një jave jemi takuar me ministrin e Shëndetësisë dhe kërkesat që ia kemi vënë në tavolinë, ai ka pasur vullnet t’i shtyjë përpara. Ka kërkuar nga ne së paku dy javë kohë. Tani ka shkuar më shumë se një muaj dhe nuk kemi përgjigje”, tregoi Azemi tutje.