Lajme

Punëtorët teknikë të shkollave në Prishtinë hyjnë në grevë, Azemi: Do të vazhdojë deri në ekzekutimin e pagave

09/01/2026 14:52
nga:L J

1 shtatori, punëtorët teknikë të shkollave fillore dhe të mesme në Prishtinë i gjeti para komunës së Prishtinës e jo në vendet e tyre të punës, shkruan Gazeta Metro.

Me kërkesën e tyre për ekzekutimin e pagave për muajt korrik dhe gusht, për të cilat thonë se ua ka mbetur borxh komuna.

Të njëjtit përfunduan në grevë pasi nuk gjetën mirëkuptim për takim. Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve, Jusuf Azemi, bëri të ditur për Metron se punëtorët i kanë dy kërkesa për Komunën e Prishtinës.

“Greva ka filluar sot. Kërkesat e tyre janë kompensimi për muajin korrik, që nuk e kanë kryer obligimin e pagesave. Por, fatkeqësisht, edhe për muajin gusht… ku është dashur pagën e gushtit me e kaluar deri më 25 gusht, është dashur me e qitë, sepse ne kemi filluar më 23 korrik me këtë kompani. Dhe janë këto dy kërkesa, për të cilat, fatkeqësisht, është një neglizhencë e komunës, që kjo ka mundur me u zgjedhë shumë lehtë”, tha ai për Metron.

Tutje, ai bëri të ditur se sot kanë tentuar që të takohen me drejtorin e Arsimit në Prishtinë, por që takimi është shtyrë për të mërkurën.

“Sot kemi tentuar të takohemi me drejtorin e Arsimit, edhe pse na ka thirrur, domethënë ne kemi shkuar dhe ai nuk ka dalë me u takuar me neve. Nesër ka mbetur takimi në orën 10:00 të mbahet, meqë në zyrën e tij ai nuk u përgjigjej, atëherë ka kërkuar që sot të takohemi, por ne kemi kërkuar që takimi të mbahet në zyrat tona, jo në zyrat e tij”, tha tutje ai.