Ndërmarrja publike “Gjelbër”, ka reaguar lidhur me vonesën e pagave për punëtorët, teksa këta të fundit sot kanë nisur grevën, raporton Gazeta Blic.
Kjo ndërmarrje ka thënë se vonesa e pagave ka ardhur si pasojë e mosrealizimit të pagesave nga Komuna e Prishtinës.
“Sot, përfaqësues të stafit dhe menaxhmentit janë takuar me Kryetarin e Komunës, z. Përparim Rama, i cili ka sqaruar se kjo situatë vjen si pasojë e bllokadës të fondeve nga Ministria e Financave. Komuna ka ndërmarrë hapa ligjorë për zgjidhjen e kësaj çështjeje”, thuhet në reagim.
Postimi i plotë:
KOMUNIKATË PËR MEDIA
Prishtinë, më 27 tetor 2025
Ndërmarrja Publike Lokale “Gjelbër” SH.A. njofton se prej disa javësh po përballet me vonesa në pagesën e pagave mujore, si pasojë e mosrealizimit të pagesave nga Komuna e Prishtinës.
Kjo situatë ka shkaktuar vështirësi për punëtorët dhe në ofrimin e shërbimeve publike esenciale, përfshirë mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbra, pastrimin e parqeve dhe menaxhimin e varrezave.
Sot, përfaqësues të stafit dhe menaxhmentit janë takuar me Kryetarin e Komunës, z. Përparim Rama, i cili ka sqaruar se kjo situtatë vjen si pasojë e bllokadës të fondeve nga Ministria e Financave. Komuna ka ndërmarrë hapa ligjorë për zgjidhjen e kësaj çështjeje.
Menaxhmenti i “Gjelbër” shpreh mirënjohje dhe respekt të thellë për të gjithë punëtorët e saj, të cilët kanë treguar durim, profesionalizëm dhe integritet të lartë, duke vazhduar me përkushtim punën e tyre pavarësisht vështirësive ekonomike.
Ndërmarrja “Gjelbër” mbetet e përkushtuar ndaj transparencës, ligjshmërisë dhe misionit të saj publik në shërbim të qytetarëve të Prishtinës.


