Lajme

Punëtorët pa paga/ Ndërmarrja “Gjelbër”: Komuna s’i ka kryer obligimet ndaj nesh – presim shpejt te gjendet zgjidhje

10/23/2025 21:36
nga:G B

Nga ndërmarrja publike “Gjelbër” janë deklaruar për Gazeta Blic lidhur me raportimin se punëtorët nuk kanë marrë paga tash e 3 muaj.

Andi Belegu, sekretar në këtë ndërmarrje, tha për Gazeta Blic se e gjitha ka ardhur si pasojë e problemeve financiare të Komunës së Prishtinës, që s’ka mundur t’i kryejë obligimet që i ka ndaj ndërmarrjes “Gjelbër”.

“Për shkak të probleme financiare që i ka komuna, nuk ka mundur t’i kryejë obligimet që i ka ndaj ndërmarrjes “Gjelbër” dhe për këtë arsye nuk është bo pagesa e pagave të punëtorëve. Jemi në bisedim vazhdimisht me komunën, besoj që kemi me ardhë në një zgjidhje të shpejtë të problemit”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se s’kanë datë të caktuar nga Komuna, megjithatë thotë se nëse nuk gjendet zgjidhja, do të shohin se si do të veprojnë,

“Nuk kemi ndonjë datë të caktuar, po presim, po shpresojmë që deri në fund të muajit do të gjendet një zgjidhje. Nëse nuk gjendet zgjidhja, atëherë duhet parë se si do të veprojmë”, ka theksuar Belegu për Gazeta Blic.

Ai ka shtuar se nuk kanë menduar për masat pasi kanë shpresa që të ndërmerren veprime, por nëse jo, do të vazhdojnë me procedura ligjore.

“Nuk kemi menduar ndonjë masë, për shkak se vazhdimisht po shpresojmë që do të marrim një përgjigje dhe do të ndërmerret një veprim i shpejtë prej komunës, por nëse eventualisht nuk ndodh pagesa e faturave, atëherë duhet vazhduar me procedura ligjore, siç e parasheh ligji”, ka deklarua Andi Belegu.

Ndërsa, kryetari i Sindikatës në këtë ndërmarrje, Veli Dodolli, ka thënë për Gazeta Blic se punëtorët janë pa paga, por që nesër kanë diskutime lidhur me këtë çështje dhe po presin përgjigje.

“Duhet të shohim, i kemi nesër disa diskutime edhe me kryetarin. Pa paga janë, pa paga normal. Po presim, këto ditë na kanë thënë se do t’i lëshojnë”, ka thënë ai.

Kryetari i sindikatës ka thënë se nëse nuk i lëshojnë mjetet, do të ndërmarrin masa.

“Jemi me shpresë, ta shohim, nëse nuk i lëshojnë, duhet të ndërmarrim diçka. Se dimë njëherë, pa e ditur, pa u marrë vesh a na i lëshojnë, se dimë se çka u bëjmë”, ka deklaruar Veli Dodolli./Gazeta Blic/

 

3 muaj pa paga/ Punëtori i ndërmarrjes “Gjelbër” thotë se po punojnë nën presion: S’po mund t’i paguajmë kreditë, na janë bllokuar garantuesit