Lajme

Punëtorët e zyrës ilegale tatimore në veri marrin premtime për paga nga Serbia, pavarësisht mbylljes

01/09/2025 09:08
nga:G B

Pas mbylljes së dy institucioneve ilegale që operonin në veri të Kosovës, janë zbuluar detaje të reja për njërën prej tyre – një zyrë e administratës tatimore të Serbisë, e cila funksiononte nën Ministrinë e Financave të Serbisë.

Zyra kishte rreth 80 punëtorë që vepronin ilegalisht, duke lëshuar dokumente dhe duke falsifikuar tatime në emër të Serbisë.

Këta punëtorë, raporton Klan Kosova, janë takuar dje me përfaqësues të Listës Serbe, të cilët u kanë premtuar se pagat e tyre do të vazhdojnë të sigurohen nga Serbia, edhe pse nuk janë më në punë.

Në këtë takim është thënë se çështja është diskutuar edhe me autoritetet parlamentare dhe qeveritare në Serbi.

Ky zhvillim vjen pas aksionit të djeshëm të Policisë së Kosovës, e cila mbylli këto institucione ilegale që operonin në kundërshtim me ligjet e vendit.