Lajme

Pula: Vizitat e shpeshta të zyrtarëve amerikanë bëjnë me dije se nuk mund të shmanget dialogu

04/25/2022 15:23
nga:Astrit Gashi

Pas vizitës së tre senatorëve amerikanë javën e kaluar në Kosovë, edhe dy zyrtarë të lartë amerikanë vijnë për vizitë në Prishtinë.

Ndihmës Sekretarja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Çështje Evropiane dhe Euro-aziatike, Karen Donfried dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari për Çështje Evropiane dhe Euro-aziatike, Gabriel Escobar do të takohen me krerët e shtetit.

E njohësi i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Shqipërim Pula në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se kjo vizitë është e rëndësishme dhe tregon interesin amerikan ndaj Kosovës.

Pula shtoi se të gjitha shtetet aleate të cilat duan të ndihmojnë Ballkanin Perëndimor sikur duan ta kornizojnë afatin kohor të arritjes së një marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Vizitat e javës së kaluar nga ana e senatorëve amerikanë dhe vizita e sotme e Gabriel Eskobar përfaqësuesit të shtetit amerikan për Ballkanin perëndimor në veçanti për çështjen e statusit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ngërthen në vete porosi por edhe presion do të thoja fakti se tani më zgjedhjet në Serbi kanë përfunduar. Të gjitha shtetet aleate të cilat duan të ndihmojnë Ballkanin Perëndimor sikur duan ta kornizojnë afatin kohor të arritjes së një marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet dy vendeve tona Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Pula për EO.

Sipas tij, me ardhjen e qeverisë së re sikur ka një prolongim të qëllimshëm, andaj ardhjet e shpeshta dhe porositë bënë me dije se udhëheqësve institucional se nuk mund të shmangin dialogun.

“Tani se çfarë porosi do të japë Gabriel Eskobar dhe çfarë porosi kanë dhënë të tjerët gjatë javës që lamë pas është e rëndësishme ato porosi të jenë të unifikuara për shtetin e Kosovës që përfaqësuesit institucionalë shtetërorë t’i vlerësojnë ato dhe të shohin se çfarë saktësisht mund të jetë e pranuar për jetësim të tyre nga ana e shtetit të Kosovës”.“Ka një përshtypje sikur me ardhjen e kësaj qeverie të re se ka një prolongim të qëllimshëm prandaj për ta evituar përshtypjen e tillë ardhjen e shpeshta dhe porositë që po lëshohen karshi udhëheqësve institucionalë të Kosovës është për të bërë me dije se nuk mund të shmanget dialogu por të bëhemi pjesë e saj dhe përafrimin për arritjen e një zgjidhjeje”, tha Pula.