Lajme

Pula: Asnjëra nga partitë politike nuk duhet t’i sfidojë Aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese

08/12/2025 22:31
nga:Sh R

Njohësi i çështjeve politike, Shqiprim Pula, ka komentuar vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, ku thotë se seancat konstituive të Kuvendit të Kosovës kanë shkaktuar paqartësi serioze, jo vetëm në lidhje me çështjet procedurale, por edhe në krijimin e kampeve mes forcave politike, raporton GazetaBlic.

Pula në një prononcim për GazetaBlic, thotë se ka pasur një mungesë të mençurisë politike për të gjetur një zgjidhje brenda Kuvendit, gjë që ka bërë që problemi të kalojë në Gjykatën Kushtetuese.

“Që nga data e fillimit të seancës konstituive të Kuvendit dhe vazhdimeve të po të njejtës seancë, jo vetëm se janë krijuar paqartësi rreth çështjeve normative mbi vazhdimet procedurale por edhe të krijimit të kampeve midis fuqive politike dhe mungesës së menqurisë politike, për t’a gjetur dhe jetësuar zgjidhjen politike brenda Kuvendit, prandaj dhe, problemi politikë u bartë si kërkesë juridike në Gjykatën Kushtetuese”, tha ai.

Ai shprehet se Gjykata Kushtetuese duhet të sigurojë qartësi dhe saktësi për procedurat që deputetët e partive politike duhet të ndjekin për të përmbyllur seancën konstituive dhe për të zgjedhur kryesinë e Kuvendit të Republikës. Kjo, sipas tij, është një domosdoshmëri për të garantuar funksionimin e institucioneve.

“Gjykata Kushtetuese, para së gjithash, do të duhej t’i jepte qartësi e saktësi veprimeve procedurale që do të duhej ndjekur nga të gjithë deputetët e partive politike si domosdoshmëri për t’a përmbyllur seancën konstituive, duke e zgjedhur kryesinë e kuvendit të Republikës”, u shpreh ai.

Tutje, Pula shton se, në një sistem demokratik, është e natyrshme që vendimet e gjykatave të debatohen dhe të kritikohen, por asnjë parti politike nuk duhet të sfidojë aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese.

“Sistemi politik demokratik në vendin tonë, mundëson që të debatohet e madje edhe të kritikohen me plot pasion edhe vendimet e gjykatave, ashtu siç ndodh çdo kund si vlerë civile. Në këtë kuptim, partitë politike në vendin tonë ka të drejtë të krijojnë përcepsione e të ndërtojnë narativa politike të çfarëdo llojshme, edhe për kauza politike, por, asnjëra nga këto parti politike nuk duhet t’i sfidojë Aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese sepse do të nënkuptonte veprime të qëllimshme dhe në papajtueshmëri me normat juridike dhe kushtetutën e vendit, si dhe do të konsiderohej edhe tallje me aktin më të lartë – kushtetutën dhe seriozitetin e Republikës. Partitë politike duhet të kujdesen për sigurinë juridike edhe për hir të reputacionit të Republikës. Deklarimet politike të partive politike mund të jenë të çfarëdo llojshme mbi përmbajtjen e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, dhe kjo, është gjëja më normale në demokraci, por, deri më tash nga spektri politikë nuk ka shenja serioze për mosrespektim – me këtë, nuk do të vihet në pikëpyetje autoriteti i Gjykatës Kushtetuese”, përfundoi Pula për GazetaBlic.