Shqipëria është në prag të Zgjedhjeve Parlamentare 2021, që pritet të mbahen më 25 prill.
Kryeministri Edi Rama nga Partia Socialiste (PS) është duke e kërkuar një mandat të tretë qeverisës.
Ndërsa Lulzim Basha nga Partia Demokratike (PD) i hyn kësaj gare për ta drejtuar vendin pas tetë vjetësh në opozitë.
Rama bën fushatë elektorale duke prezantuar arritjet në rindërtimin e banesave të shkatërruara nga tërmeti i 26 nëntorit i vitit 2019, vaksinimin masiv anti COVID-19 dhe projekte të mëdha në infrastrukturë.
Ndërsa Basha fokusohet në papunësinë, ekonominë jo të shëndetshme, emigrimin e rinisë, duke premtuar se mund ta ndryshojë situatën për mirë.
Derisa fushata elektorale në Shqipëri është duke vazhduar, “Smith Research & Consulting” ka realizuar një pyetësor të strukturuar me pyetje të mbyllura, në të cilin ka pasur qasje edhe Klan Kosova.
Në këtë sondazh ku është përdorur metodologjia e studimit sasior janë pyetur njëmijë vetë nga data 27 mars e deri më 9 prill.
Sipas këtij sondazhi, del se qytetarët janë shumë të interesuar që të votojnë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.


