Lista e vendeve më të lumtura dhe më të palumtura në planet u publikua nga Rrjeti i Zgjidhjeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së , ku Finlanda zë vendin e parë për të shtatin vit radhazi, ndërsa nga ana tjetër, Afganistani ishte në vendin e fundit.
Tetë vende evropiane janë në dhjetëshen e vendeve më të lumtura, ku Danimarka qëndron në vendin e dytë në listën e 140 vendeve dhe Islanda në të tretën. Në dhjetëshen e parë gjejmë edhe Suedinë, Izraelin, Holandën, Norvegjinë, Luksemburgun, Zvicrën dhe Australinë .
Britania ra në renditje , e cila ishte në vendin e 20-të pas vendeve si Lituania ose Republika Çeke, si dhe SHBA-të , të cilat ranë tetë vende në krahasim me vitin 2023. Në 2023 SHBA-të ishin në vendin e 15 ndërsa këtë vit në vendin e 23-të.
Sipas kësaj liste, Kosova qëndronte në vendin e 29-të, ndërsa një vit më parë ishte renditur në vendin e 34. Shqipëria renditet në vendin e 87-të, duke rënë 5 vende në krahasim me vitin 2023 kur ishte në vendin e 83-të të listës. Ndërsa Greqia renditet në vendin e 58-të.
Studiuesit zbuluan gjithashtu se ata që kanë lindur para vitit 1965 janë më të lumtur se ata të lindur pas vitit 1980.
Në këtë kontekst, studiuesit argumentojnë se evropianët e rinj dhe amerikanët e veriut po kalojnë një fazë që i ngjan një “krize të moshës së mesme”.
Hulumtimi i Raportit të Lumturisë Botërore bazohet në përgjigjet dhe vlerësimet e qytetarëve të vendeve në lidhje me jetën e tyre dhe emocionet pozitive dhe negative që ata përjetojnë./TCH