Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e AKI-së, ka shprehur shqetësimin për publikimin e identitetit të pozitave të disa zyrtarëve të AKI-së, duke konsideruar si veprim të dëmshëm dhe pengesë për punë profesionale.
Në lidhje me këtë çështje, për GazetaBlic është prononcuar anëtaria e Nismës Socialdemokratike, Xhevahire Izmaku, e cila thekson se profesionaliteti i sektorëve të sigurisë duke përfshirë AKI-në duhet të ruajë integritetin.
“Komisioni Parlamentar doli me kompetencë dhe shumë profesional kur alarmoi agjensinë dhe institucionet tjera, se individë të papërgjegjshëm rrezikojnë jetën dhe aktivitetet konfdenciale të agjentëve të AKI-së”, tha ajo.
Izmaku tutje apelon politikës dhe aktorëve tjerë të ruajnë integritetin e sektorit të sigurisë në vendin tonë, duke përfshirë edhe AKI-në, ku gjithashtu sipas saj ka qenë krenari ndër vite profesionaliteti i sektoreve të sigurisë në Kosovë.
Izmaku thotë se është e papranueshme tendenca, ngjashëm si rasti i fundit në RTK, që të përfliten burimet e informacionit që mbrohen me ligje të veçanta.
“Edhe në të kaluarën është shfaqur kjo tendencë dhe rekrutimet fillestare të punonjësve kanë qenë të fokusuar me prioritet në natyrën e ndjeshme me konfindencën! Është e papranueshme tendenca si kjo e fundit nga Radio Televizioni i Kosovës (RTK), të përfliten burime informacioni që mbrohen me ligje të veçanta! Ne jemi krenuar me vite për profesionalitetin e sektorëve të sigurisë, përfshirë dhe AKI-në, duhet të ruajmë integritetin e tyre si politika, edhe akteret tjerë dhe shoqëria”, deklaroi Izmaku.
/GazetaBlic/


