Lajme

PSRK-ja do të dorëzojë kërkesë për caktim të paraburgimit për tre nga tetë të ndaluarit për sulmin në veri

09/25/2023 17:53
nga:G B

Prokurori special Naim Abazi, ka njoftuar se do ta dorëzojë në Gjykatë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit për tre nga tetë të ndaluarit për përfshirje në rastin e sulmit terrorist të së dielës në Banjskë të Zveçanit.

“Po, kërkesa parashtrohet për tre persona, po sot do t’i dërgohet gjykatës për caktimin e masës”, tha prokurori Abazi në një prononcim për “Betimi për Drejtësi”.

Gjithashtu, prokurori Abazi paraprakisht ka njoftuar se të ndaluar kanë qenë tetë persona, e që sipas tij pesë prej tyre janë liruar pasi që nuk pasur të bëjnë më rastin në fjalë.

“Të tjerët i kemi ndalu me dyshimin se janë kanë të përfshirë, por ata s’kanë qenë të përfshirë në aktivitetin kriminal”, tha prokurori Abazi.

Pesë të ndaluarit sipas prokurorit Abazi, fillimisht janë dyshuar që kanë qenë të përfshirë në rastin në fjalë, por të njëjtit janë liruar sepse kanë pasur të bëjmë me sulme të tjera ndaj gazetarëve dhe KFOR-it.

“Të tjerë nuk ndërlidhen me rastin tonë drejtpërdrejt, lidhen me rastet tjera që i kanë prokurorët tjerë. Ata nuk lidhen me rastin e djeshit, domethanë kanë aktivitete tjera kriminale”, ka thënë Abazi.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, mbrëmë ka njoftuar 6 persona janë ndaluar për përfshirje në sulmin ndaj Policisë.  Sipas PSRK-së, të ndaluarit dyshohen për disa vepra penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.

“Prokuroria Speciale, gjithashtu njofton se gjatë aksionit të sotëm të Policisë së Kosovës, janë ndaluar gjashtë (6) persona të përfshirë në sulmin ndaj Policisë së Kosovës, për veprat penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’ nga neni 126 lidhur me ‘’Sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës’’ nga neni 114, ‘’Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’ nga neni 138 lidhur me nenin 129 dhe ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e PSRK-së.

Prokuroria kishte njoftuar se të arrestuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Më 24 shtator 2023 rreth orës 02:43 minuta, vendi u trondit nga një sulm i një grupi terrorist në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku si pasojë mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, kurse zyrtari policor Alban Rashiti u plagos dhe një tjetër u lëndua.