Shkruan: Klaudio Ndreca
Të gjithë janë habitur për vetë mënyrën sesi politika dhe konkretisht kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, ka ndërhyrë për të vendosur garën sa i përket kreut të ri të FSHF. Por pyetja që lind menjëherë dhe nuk merr përgjigje është: “Përse tani?”. Pra në një kohë që futbolli ka qenë aty, prej vitesh, mes shumë skandaleve që pretendon pala përkatëse që nuk mund të kenë nisur para një jave, kur Veliaj shpërtheu papritur dhe si kurrë më parë.
Në fillim duhet të themi se kryetari i Bashkisë është pak i informuar për futbollin që kur përdor shprehjen: “Po çfarë është ky ishull që nuk e kontrollojmë dot ne?”. Le të themi se është një “mollë e ndaluar”, molla e vetme e ndaluar dhe e pa helmuar nga një parti e cila zotëron gjithçka në vendin tonë.
Por le të kthehemi te pyetja jonë…përse tani? “Më mirë vonë se kurrë”, është shprehur Veliaj, megjithëse kjo përgjigje është qartazi për të mbuluar sadopak këtë shpërthim të papritur. Tani sepse për herë të parë Shqipëria pret finalen e Conference League dhe do të jetë shansi i artë për të rrëmbyer vëmendjen e gjithë Europës, arritja do të gëzohet pas zgjedhjeve të reja në FSHF.
Tani sepse e ardhmja e Kombëtares duket e ndritur, mes një brezi të ri që premton shumë për kualifikueset e Europianit dhe Botërorit. Mos harroni sesi Qeveria asokohe nxitoi për të garuar se kush do të shkonte i pari në aeroport për të pritur si heronj djemtë e Kombëtares pas Europianit të Francës, megjithëse i hoqën pasaportat diplomatike pas dy humbjeve radhazi. Temë tjetër edhe kjo!
Tani sepse ekipet shqiptare kanë më shumë mundësi për të arritur në Europë, jo vetëm në saj të rritjes së tyre, por edhe të formatit të ri, Conference League. Tani sepse dihet ndjeshmëria e madhe e tifozëve mbarëshqiptarë për Kombëtaren dhe një arenë si Air Albania, mund të përdoret si imazh për të reklamuar shumëçka.
Por mbi të gjitha, tani sepse Shqipëria nuk është më si dikur në arenën e futbollit, ka peshën e madhe të saj. Kujtojmë vetëm rastin e fundit juridik ku Nedim Bajramit nuk i lejohej që të luante me Kombëtaren tonë në bazë të rregullave, por u arrit që të gjendej rruga për ta bërë një rast përjashtues.
Le të themi se politika kërkon që të futet kudo ku sheh një masë të madhe njerëzish. Nëse dëshira e madhe e Veliajt do të përmbushej, nuk do të habiteshim aspak nëse në zgjedhjet e vërteta të kryetarit të Bashkisë, jo këto që nuk i takojnë, të shfaqeshin Armando Broja dhe Marash Kumbulla duke ftuar të gjithë njerëzit që të votonin numrin … në fletën e votimit.
Ndoshta pas kësaj ndërhyrje të madhe në futboll, radhën e ka Big Brother-i. Ndoshta pas disa ditësh kryetari i Bashkisë do të kërkojë që t’i bëhet edhe një kontroll këtij show televiziv pasi gara aty po bëhet e paracaktuar. Monika, e cila ishte që në ditët e para në rrezik të madhe për të dalë nga shtëpia, tanimë po prek finalen. Si ka mundësi që të ndodhi një gjë e tillë, a ka llogjikë?
Me siguri që Veliaj mund ta përligji edhe një ndërhyrje për të parë se kujt i kanë shkuar votat e shqiptarëve, në mënyrë që të jenë vetë në krye të këtij formati, për ta drejtuar sipas dëshirës së tyre. Kështu mund të “privatizohen” edhe Donaldi me Ilirin, që pas fitores së tyre të deklarojnë: “Falenderojmë kryetarin e Bashkisë për këtë organizim madhështor”.
Jetën po, punën po, shkollën po, teatrin po, KOKSH-in po, futbollin ende jo, tanimë i ka ngelur edhe të pretendojnë që të drejtojnë vetë edhe Big Brotheri-n, për të qenë si “qershia mbi tortë” e për të mos lënë asnjë ishull jashtë kontrollit të tyre. Atëherë, kur një person e kontrollon gjithë territorin i vetëm, çfarë quhet? Gjithsesi, mos harroni, “Big Brother” ju vëzhgon…