Prej ditësh, rrugët dhe parqet në qendër të kryeqytetit të Indisë janë mbushur me demonstratat më të mëdha që vendi ka parë në vite, ndërsa protestuesit e rinj kërkojnë ndryshime në sistemin kombëtar të provimeve, për të cilin thonë se u mohon miliona të rinjve një mundësi të drejtë, raporton CNN.
Në fillim të kësaj jave, teksa protestuesit – kryesisht të Gjeneratës Z – u përpoqën t’i çonin kërkesat e tyre pranë ndërtesës së parlamentit, në zemër të demokracisë më të madhe në botë, ata u përballën me gaz lotsjellës dhe dhunë policore, duke u goditur me shkopinj dhe kërbaçë policorë.
Protestuesit po refuzojnë të tërhiqen, duke krijuar një përballje të vazhdueshme me qeverinë nacionaliste hindu të Narendra Modit, të cilën kritikët e akuzojnë se gjatë më shumë se një dekade në pushtet ka shtypur çdo zë kundërshtues.
Rreth 150 protestues u dërguan në spital me lëndime pas dhunës së së hënës, sipas drejtuesve të partisë që qëndron pas protestave. Videot që tregonin ndërhyrjen e policisë – të shpërndara gjerësisht disa orë pas ngjarjes, falë rikthimit të internetit pasi ai ishte ndërprerë me urdhër të qeverisë – shkaktuan zemërim të madh. Policia e Delhit tha se 118 oficerë të saj u plagosën gjatë “protestave të dhunshme”.
Policia e Delhit kishte vendosur masa ndaluese përpara marshimit dhe e kishte shpallur atë të paligjshëm.
Ndërsa të martën, protestuesit – shumë prej tyre duke treguar plagët që, sipas tyre, i kishin marrë nga policia – u kthyen në Jantar Mantar, një observator 300-vjeçar i rrethuar nga një park i madh, ku rindërtuan kampin e improvizuar që kishte shërbyer si selia e tyre. Policia e kishte shembur atë një ditë më parë.
Në kamp mbizotëronte fryma e sfidës.
“Do të qëndrojmë këtu me krenari”, tha Sudhir Kumar, i cili mori pjesë në protestën e së hënës dhe tha se kishte parë protestues duke u goditur nga policia.
“Tema kryesore këtu është arsimi”, tha Kumar, duke shtuar se kishte kaluar një vit duke u përgatitur për provimin pranues në një fakultet prestigjioz të mjekësisë, për të mësuar më pas se testet kishin rrjedhur.
“Imagjinoni çfarë përjeton kur përgatitesh gjithë vitin dhe ditën e provimit mëson se gjithçka ishte e manipuluar”, i tha ai CNN-it.
Mohammad Taj, i cili kishte udhëtuar në Delhi nga shteti fqinj Haryana dhe fytyra e të cilit ishte mavijosur rëndë gjatë ndërhyrjes policore të së hënës, tha se marshimi drejt parlamentit kishte qenë paqësor.
“Por brenda një çasti, nuk e di çfarë ndodhi, policia filloi të na godiste me shkopinj. Fëmijë, gra, të moshuar – goditën të gjithë”.
Deri në mbrëmje, turmat kishin tejmbushur zonën përreth vendit të protestës dhe ishin përhapur në rrugë e rrugica.
“Sa herë që Modi frikësohet, ai nxjerr policinë,” brohorisnin njëzëri protestuesit, duke bërë thirrje për “liri”.


