Lajme

Pse vendosi të garojë për deputet? Tregon Ismet Beqiri, flet dhe për renditjen në listë

12/27/2024 17:10
nga:G B

Ismet Beqiri, kandidat për deputet nga LDK në zgjedhjet e 9 shkurtit, ka treguar se pse vendosi të garojë sërish për një ulëse në Kuvend.

Ai në një intervistë për Gazeta Blic, thotë se ka ende çfarë të japë dhe ka qenë propozim i degës që ai të garojë, derisa garimin e tij e quan befasi të mirë.

“Fillimisht të them që vitin 2021 nuk kam garuar, është hera e nëntë që garoj, hera e shtatë në nivel nacional dhe 2 në nivel lokal. Më shumë se një mandat kryetar i Prishtinës. Unë dhe një pjesë e LDK-së e mbulojmë një pjesë të mirë të elektoratit të LDK-së dhe të votuesve që e njohin mirë partinë tonë dhe i besojnë asaj. Besoj që mund të jap ende, ka pasur kërkesa nga vet dega në Kodrën e Trimave që të jem kandidat dhe ka qenë surprizë pse s’kam garuar në 2021 sesa tani kandidimi im dhe unë do ta jap kontributin tim si tërë jetën time politike. Vota e qytetarëve më ka mbajtur gjithmonë në jetën politike, besoj se ende mund të jap shumë edhe për parlamentin, edhe për LDK-në, prandaj nëse ka qenë surprizë besoj që ka qenë për mirë”, shprehet ai.

Sipas Beqirit, asnjë subjekt politik nuk mund të mbijetojë vetëm me një gjeneratë.

“Unë mendoj që çdo subjekt politik është e pamundur të mbijetojë me një gjeneratë, qoftë të re apo të vjetër apo të mesme dhe dëshmia më e mirë janë SHBA-të, që duhet të merren si shembull ku presidenti është zgjedhur 80 vjeç dhe është zgjedhur për shkak të rezultatit. Përvoja është e rëndësishme në çdo punë”, thotë ai.

Beqiri vlerëson se VV janë më pak se praktikantë, teksa thotë se s’mund të jesh i suksesshëm vetëm pse e dëshiron suksesin.

“Këta janë më pak se praktikantë. Nuk mund të jesh i suksesshëm vetëm pse ke dëshirë dhe nuk është si puna e futbollit por këtu ka përgjegjësi të mëdha dhe besoj që qytetarët e kanë vërtetuar se pa një kombinim, pa një gjithëpërfshirje gjeneratash nuk mund të ketë sukses asnjë subjekt politik dhe asnjë institucion dhe kjo është vërtetuar gjithmonë. Unë kam qenë kryetar i Prishtinës i ri, 37 vjeç dhe sot gjërat i shoh më ndryshe, po ashtu kam qenë i ri edhe në parlament por mendoj se puna të bën më të përgjegjshëm, më të kujdesshëm, edhe më dobiprurës për aq sa njeriu e ka shëndetin dhe vullnetin, mendoj se suksesi është gjithmonë i arritshëm dhe njeriu duhet të matet vetëm me rezultat dhe jo me fjalë dhe jo me moshë”, potencon ai për Gazeta Blic.

Ndërsa, sa i përket renditjes në listë të kandidatëve, ku ai mban numrin 47, thotë se për të nuk përbën asnjë problem, pasi qytetarët e kërkojnë emrin e personit që duan ta votojnë dhe më pas ia gjejnë edhe numrin.

“Renditjen finale tonën do ta bëjë votuesi, s’ka rëndësi renditja, numrin e bën emri dhe jo e kundërta, emri dhe personaliteti janë dominant, kontributi dhe njerëzit kur të votojnë e kërkojnë emrin dhe aty ia gjejnë edhe numrin, pavarësisht se çka është thënë, për mua nuk është problem, unë e kam këtë numër, 47 dhe qytetarët do ta kërkojnë së pari emrin tim dhe të çdokujt që duan ta votojnë”, thekson Beqiri./Gazeta Blic/