Gëzim Plakolli, kryetar i degës së LDK-së në Mitrovicë, ka folur për prishjen e koalicionit VV-LDK në këtë komunë.
Ai mbrëmjen e së mërkurës në emisionin “Edicionin Special” në Klan Kosova theksoi se shkaku kryesor ka qenë mosrespektimi i marrëveshjes mes partive.
Plakolli tha se ka zhvilluar dy takime me kryetarin Faton Peci, ku kërkesat e LDK-së, sipas tij kanë qenë pozita e nënkryetarit dhe dy drejtorive.
“Thjeshtë për mosrespektim të marrëveshjes. Komunikimin me z.Pecin e kemi filluar menjëherë pas rezultatit të balotazhit që ka dalë, kur është shpallur fitues dhe e kemi lënë të takohemi pas zgjedhjeve të 28 dhjetori. Menjëherë pas zgjedhjeve, në fillim të janarit, kemi filluar takimet, diskutimet dhe e kemi lënë që në javën e tretë të janarit, të ulemi, të diskutojmë dhe ta finalizojmë marrëveshjen. I kam bërë dy takime me z.Peci dhe kërkesat të cilat kanë qenë nga ana ime, në emër të LDK-së, kanë qenë pozita e nënkryetarit dhe dy drejtori. Po flasim për numrat që i kemi si rezultat i zgjedhjeve të 12 tetorit”, tha ai.
Plakolli tregoi se, nuk kishin marrëveshje paraprake me Pecin, LDK-ja vendosi në minutat e fundit siç u shpreh, të shmangë zgjedhjet dhe të finalizojë një marrëveshje të përkohshme.
“Kemi pasur negociata rreth këtyre pozitave dhe ka qenë ditë e diel, neve na ka ardhur një komunikim nga sekretariati i Kuvendit Komunal të Mitrovicës se mbledhja e Kuvendit Komunal duhet të mbahet të dielën mbrëma, meqenëse sekretariati e ka gabuar datën, se thirrja ka qenë për ditën e hënë dhe nëse ishte mbajtur të hënën, gjithë Kuvendi Komunal do kishte shkuar në zgjedhje, për shkak të afateve. Kur kemi shkuar, jemi takuar me Kryesinë e degës, kemi biseduar edhe pse paraprakisht nuk kemi pasur marrëveshje me z.Peci, por në minutat e fundit për hirë të korrektësisë duhet me thënë që ne kemi qenë ata që kemi vendosur që mos të shkojë Kuvendi Komunal në zgjedhje, e kemi bërë një marrëveshje të shpejtë me kryetarin Peci”, tha ai.
Njëherësh, sipas Plakollit, tradhtia e parë erdhi kur emri i sekretarit të LDK-së nuk u mbështet nga partitë e koalicionit.
“E kemi zgjedhur kryesuesin e Kuvendin, natën e së dielës, më 18 janar dhe jemi dakorduar që dy drejtori i ka LDK-ja, e ka një ndërmarrje dhe e ka pozitën e kryesuesit të Kuvendit Komunal. Ndodh tradhtia e parë e z.Peci, që kur del emri i sekretarit tonë në votim, asnjë nga partitë e koalicionit nuk e votojnë emrin e tij. Nuk ka shkuar propozimi zyrtar që ka shkuar nga dega. Unë e pash aty që do të kemi telashe”, tha ai.


