Lajme

Pse po insistohet në Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit?/ Analistët: VV s’i ka numrat, do zgjedhje

04/24/2025 22:08
nga:G B

Albulena Haxhiu do të jetë sërish propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje në seancën e nesërme për kryetare të Kuvendit.

Nga VV kanë thënë se nuk do ta ndryshojnë emrin, pavarësisht se nga partitë tjera kanë thënë se Haxhiun nuk e votojnë, ndërsa ndonjë emër tjetër do të mund ta shqyrtonin.

Nga VV po ashtu janë përmendur edhe zgjedhjet e reja si opsion, për çka PDK është shprehur e gatshme.

Por, pse po insiston VV në emrin e Albulena Haxhiut për kryeparlamentare dhe kujt do t’i konvenonin zgjedhjet e jashtëzakonshme?

Lidhur me këtë, analisti politik Arbnor Sadiku, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se VV duhet t’ia japë Nismës kryetarin e Kuvendit dhe të votohet nga ta dhe AAK, pasi këto dy parti kanë rrezik të mos e kalojnë pragun nëse shkohet në zgjedhje.

“E para punës, duhet VV ta ulë pazarin për këtë pozitë, pra kryetarin e Kuvendit, me Nismën, dhe që të pres që ia voton AAK-ja dhe Nisma sepse frikësohen se po shkojnë në zgjedhje dhe asnjëra nuk e kalon pragun”, thotë ai.

Sipas Sadikut, përpos VV-së e PDK-së, të tjerëve nuk iu konvenojnë zgjedhjet e reja.

“Në fakt askujt nuk i kovenojnë zgjedhjet të mbahen menjëherë, pas 9 shkurtit 2025, por, në bazë të deklaratave LVV-së dhe PDK-së, por, jo LDK-së, AAK-së Nismës dhe Guxo-së, e as minoriteteve”, deklaron Arbnor Sadiku.

Ndërsa, analisti Blerim Burjani, thotë për Gazeta Blic se VV s’ka numra për ta formuar qeverinë, andaj po e zvarrit procesin, teksa shton se opozita po i bën nder VV-së duke mos ua votuar kryetarin e Kuvendit.

“S’ka numra për të themeluar qeveri, kjo po dihet, sa më shumë ta zvarritin procesin e themelimit të qeverisë, për këtë arsye është duke ndodhur bllokada e VV-së, opozita po ia bën një nder VV-së. Sa më parë që konstituohet kuvendi i konvenon opozitës sepse shkohet në themelim të qeverisë, e për këtë nuk ka numra dhe mund t’i vie radha ta themelojë qeverinë opozita”, vlerëson ai.

Burjani thotë se as opozita nuk është unike dhe duket se po duan zgjedhje, por që ato nuk i konvenojnë askujt.

“Po duket qartë se opozita nuk është unike për të themeluar qeveri, andaj si pozita si opozita dëshirojnë të shkojnë në zgjedhje. Konsideroj se askujt nuk i konvenon të formojnë qeverinë dhe kështu siç po shkon procesi, të gjithë po i dëshirojnë zgjedhjet”, deklaron analisti Blerim Burjani./Gazeta Blic/

Tentativa e gjashtë për konstituim të Kuvendit – VV nuk e ndërron kandidatin, partitë s’ndryshojnë qëndrim

LVV: S’ka konsultime me partitë politike për konstituimin e Kuvendit

Kuvendi: Nesër në ora 10:00 vazhdon seanca konstituive