Zv. Kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka thënë se sot nuk është pritur që të ketë një vendim për liberalizimin e vizave.
Në një intervistë në “Context”, në ATV, Bislimi ka treguar se asnjë shtet nuk është shprehur kundër liberalizimit të vizave.
“Ka pasur pritje të shumta, më tej të asaj se çfarë ka qenë konteksti i takimit të sotëm. Sot nuk është prit votim e as nuk është prit vendim. Sot tema është hedhur për herë të parë nga këto dy grupe punuese dhe ka qenë e qartë që një grup i shteteve për arsye të ndryshme sot nuk kanë mundur me u deklaru votën e tyre, pasi që ka nevojë që çështja të kthehet në diskutim në vendet e tyre”, tha Bislimi në ATV.
“Nuk ka pasur asnjë shtet që ka shprehur hezitime apo kundërshtime. Kushti është që Liberalizimi i vizave të ndodh kur BE të funksionalizoj sistemin … i cili përdoret për identifikimin e personave që udhëtojnë nga vendet që e kanë marrë regjimin e vizave”, tha ndër të tjerash, Zv. kryeministri i Kosovës.
Ai tha se ndonëse asnjë shtet nuk ka pasur hezitime për liberalizimin e vizave, shtetet anëtare kanë pasur tri lloje të qëndrimeve.
“Kemi vende të cilat pa asnjë rezervë e kanë përkrahur liberalizimin e menjëhershëm të vizave për Kosovën, kemi ato shtete, të cilat për arsye të dinamikave politike nuk kanë mundur të japin qëndrimin zyrtar, për shkak se disa sosh janë në mandat teknik të qeverive të tyre, është Italia dhe Suedia, si dhe Danimarka që sapo ka paralajmëruar zgjedhjet e reja. Janë edhe vendet pakicë, të cilat nuk e kundërshtojnë liberalizimin e vizave për Kosovën, por dëshirojnë që këtë ta lidhin me disa elemente tjera, të cilat për neve janë kushte të reja, apo kritere të reja. Edhe pse ata pretendojnë se janë vetëm teknikalitete, për ne janë kushte të reja”.
Bislimi ka thënë se Kosova është udhëzuar që të përdorë kanalet e veta bilaterale për të diskutuar kërkesat e reja, ashtu që të arrihet konsensus, për të shtyrë përpara procesin në mbledhjen e ardhshëm të grupit punues për viza, që mbahet më 9-10 nëntor të këtij viti.
Ai ka përmendur se në takimin e 13 tetorit janë shtruar tri çështje kyçe: lidhja e liberalizimit të vizave për Kosovën me funksionalizimin e sistemit ETIAS, harmonizimi i sistemit kosovar të vizave me atë të Bashkimit Evropian, si dhe marrëveshja për riatdhesimin e qytetarëve.
Edhe Radio Evropa e Lirë ka marrë vesh nga burimet e saj më herët gjatë ditës për propozimin që procesi i vizave të lidhet me sistemin ETIAS.