Lajme

“Pse ma prishe gjumin”? Vëllai rrah motrën pas një zhurme në banesë, përfundon në mbajtje për 48 orë

01/25/2026 20:42
nga:G B

Një rast i dhunës në familje është raportuar në orët e hershme të mëngjesit në Fushë Kosovë, ku një i ri dyshohet se ka sulmuar fizikisht motrën e tij pas një mosmarrëveshjeje të çastit.

Sipas informacioneve, ngjarja ka ndodhur më 25.01.2026, rreth orës 04:40 në rrugën “Nënë Tereza”.

Burime të Sinjalit bëjnë me dije se i dyshuari D. N dyshohet se ishte zgjuar nga një zhurmë dhe e ka akuzuar motrën e tij, viktimën A. N se ajo e kishte shkaktuar zhurmën, çka ka çuar në përshkallëzim të situatës dhe konflikt fizik.

Në momentet pasuese, dyshohet se i dyshuari e ka goditur viktimën disa herë me grushte në trup.

Sipas të dhënave , viktima nuk ka pësuar lëndime trupore dhe nuk ka kërkuar ndihmë mjekësore, por rasti është trajtuar si “Dhunë në familje”.

I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit është dërguar në mbajtje për 48 orë, në Qendrën e Mbajtjes.