Lajme

Pse Kurti nuk i shkoi Osmanit në takim?

07/31/2024 19:46
nga:Sh R

Takimi i shumë pritur ndodhi, por askush nuk besonte që në të nuk do të merrte pjesë Albin Kurti.

Presidentja Vjosa Osmani në 4 datat e propozuara për zgjedhjet e rregullta, nuk mori asnjë propozim nga partia më e madhe në vend, të cilën e udhëheq Kurti.

Mospjesëmarrja e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje në këtë takim ka vetëm një shpjegim, sipas analistit politik Fidan Ukaj.

“Mos prezenca e kryeministrit Kurti më jep një mundësi që qeveria të jep dorëheqje dhe të kemi zgjedhje në vjeshtë dhe jo në muajin janar, që ishin data që edhe u propozuan edhe nga partitë opozitare”, ka deklaruar Ukaj.

Ukaj tha se një ide të tillë, LVV po e shpërndan edhe përmes deputetëve të saj.

“E dëgjova edhe deputetin Armend Muja që tha se muajt e nëntor-dhjetor vjeshtën e vonshme si datë optimale mendoj se një datë e tillë, një bisedë e tillë u bë edhe brenda partisë Vetëvendosje”, ka theksuar ai.

Mendim tjetër në këtë çështje ka ish-diplomati Blerim Canaj, që thotë se kjo më shumë është për shkak të raporteve të tensionuar mes tyre.

“Marrëdhëniet në mes të Kurit dhe presidentes, por jo vetëm në mes tyre por edhe me zonjën Gervalla, jo që janë të ftohura por janë të prishura dhe mos prezenca e Kurtit në këtë takim mund të jetë refleksion i kësaj marrëdhënie”, ka deklaruar Canaj.

Canaj për datat e përmendura, thotë se brenda tyre pritet të mbahen zgjedhjet e ardhshme.

Afati ligjor ia mundëson ende Lëvizjes Vetëvendosje dhe partive tjera që nuk ishin në takim, që të takohen me Osmanin.