Sporti

Pse Guardiola konsiderohet zgjedhja ideale për Italinë

05/14/2026 15:32
nga:Mergim Rreci

Presidenti i ardhshëm i Federatës Italiane të Futbollit mund të sjellë një revolucion të madh te kombëtarja “Azzurre”.

Sipas mediave italiane, Giovanni Malago po planifikon një projekt ambicioz ku emri kryesor për stolin e Italisë është Pep Guardiola, transmeton GazetaBlic Sport.

Zgjedhjet për presidentin e ri të FIGC-së do të mbahen më 22 qershor dhe Malago konsiderohet një nga favoritët kryesorë. Pas dështimit të Italisë për t’u rikthyer në nivelet më të larta ndërkombëtare, ideja është ndërtimi i një cikli të ri me figura të mëdha të futbollit botëror.

Sipas raportimeve, trajneri aktual i Manchester City do të ishte i gatshëm të dëgjonte një ofertë nga Italia, edhe pse ka kontratë me klubin anglez deri në vitin 2027. Guardiola ka pasur gjithmonë një lidhje të fortë me futbollin italian, pasi në të kaluarën ka luajtur me Brescia dhe AS Roma.

Megjithatë, operacioni mbetet shumë i vështirë. Paga e lartë e Guardiolës dhe fakti që ai nuk ka drejtuar kurrë një kombëtare janë pengesat kryesore. Në Itali ka edhe skepticizëm për mënyrën se si filozofia e tij mund të përshtatet me futbollin e kombëtareve, ku koha e punës me lojtarët është shumë më e kufizuar.

/GazetaBlic Sport/