Lajme

Pse e quajnë ‘Bageri i Prishtinës’? Përgjigjet Xhaferi, thotë se LDK do të dalë partia e parë në zgjedhje

02/07/2025 11:06
nga:G B

Krenar Xhaferi, kandidat për deputet nga LDK, është quajtur ‘bageri i Prishtinës’ nga kandidati për kryeministër i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Ai në një intervistë për Gazeta Blic, ka treguar se pse i është vënë kjo nofkë.

“Ndoshta në Prishtinë ka vite që nuk është punuar, nuk e ke pa një bager duke punuar në rrugë dhe zhvillim të qytetit. Kur kemi ardhur ne në pushtet kemi pasur plane të sakta se çka do të bëjmë. Unë ditën e parë e kam bërë detyrën projekte të rrugës A, edhe pse ka pasur diskutime nga të gjitha partitë po për këtë rrugë nuk është bërë as projekti i parë, as vija e parë në drejtim të zgjidhjes së këtij problemi. Andaj në këtë kontekst është marrë edhe ky term dhe nëpër qytet dhe gjithkund e përdorin këtë shprehje por t’ju them të drejtën, që pa LDK-në unë s’do të mund të kisha kontribuar”, ka thënë ai.

Po ashtu, ai ka folur për pritjet nga 9 shkurti, teksa ka thënë se qytetarët dinë të vlerësojnë dhe ndëshkojnë kur duhet.

Sipas tij, LDK do të dalë e para, e pasur nga VV, më pas nga PDK.

“Unë jam shumë i bindur që qytetarët e Kosovës dinë të vlerësojnë, ata kanë ditur edhe të ndëshkojnë në periudha kur secili e ka humbur rrugën në kontekst të ecjes por edhe kanë ditur të vlerësojnë kur ke një mision për ndryshime rrënjësore, këtë e ndiej edhe prej energjisë së jashtme. LDK ka një ekip më të mirë të mundshëm që e ka pasur ndonjëherë. E ka kryeministrin e përgatitur, kam punuar vet me të. LDK do të jetë e para, me një diferencë të vogël me VV-në, pastaj PDK”, ka vlerësuar Xhaferi.

Ndërsa, është përgjigjur dhe për mundësinë e një koalicioni me VV-në, nëse është i nevojshëm pas 9 shkurtit.

“Unë mendoj që LDK duhet ta ketë kryeministrin e vendit dhe t’i japim orientim investimeve dhe marrëdhënieve me SHBA-të dhe BE-në dhe kthimin e investimeve në Kosovë. Kjo bëhet vetëm me kryeministrin Lumir Abdixhiku”, ka përfunduar kandidati për deputet nga LDK, me numër 32, Krenar Xhaferi./Gazeta Blic/