Lajme

PSD shpreh ngushëllime për vdekjen e Haxhi Thaçit

6 orë më parë
nga:G B

Partia Socialdemokrate ka shprehur ngushëllime për vdekjen e Haxhi Thaçit, babait të ish-presidentit Hashim Thaçi.

Në komunikatën e PSD-së thuhet se humbja e prindit në kushte burgu është një dhimbje e papërshkrueshme.

“Shprehim ngushëllimet më të përzemërta familjes Thaçi, për ndarjen nga jeta të Haxhi Thaçit. Njëkohësisht, reflektojmë edhe për betejën e përhershme mes lirisë dhe padrejtësisë, mes kujtesës dhe harresës, mes atyre që ndërtuan këtë vend dhe atyre që sot mundohen ta zhbëjnë të vërtetën e tij”.

“Humbja e prindit në kushte burgu është një dhimbje e papërshkrueshme. Të mos jesh pranë në çastet e fundit, të mos ia dëgjosh fjalët e fundit, të mos e shohësh shikimin e fundit, është një barrë që peshohet rëndë mbi njeriun. Ky fenomen ka qenë prezent tek të burgosurit politik në kushtet e pushtimit, dhe sot po i ndodhë njerëzve që udhëhoqën luftën. Dhe ky nuk është thjesht një fat i keq – është padrejtësi”, thuhet në komunikatë.

PSD gjithashtu tha se Haxhi Thaçi ndërroi jetë larg birit të tij, në një sistem siç thuhet në komunikatë, që nën petkun e drejtësisë po riprodhon forma të reja të padrejtësisë.

“Ky mekanizëm e ka zëvendësuar dhunën me burokraci, me seanca të pafundme e një proces të padrejtë e të stërzgjatur. Gjykata Speciale nuk është drejtësi. Është një mjet politik që nuk njeh historinë e lëvizjeve çlirimtare dhe të së drejtës për liri”.

“Ajo ka vënë në shënjestër ata që guxuan të ngrinin krye, duke i ndarë nga familjet e tyre, nga populli i tyre, nga historia e tyre. Në emër të një drejtësie të shtrembëruar, ajo po përdoret për të tkurrur kujtesën tonë kolektive, për të minuar çdo frymë të rezistencës. Liria nuk është vetëm mungesë prangash. Liria është të jesh aty ku historia të ka vendosur, pranë njerëzve të tu, mes atyre që e ndërtuan këtë vend me mund, gjak dhe dashuri”, ka shkruar PSD-ja.