Lajme

PSD publikon pamje nga arrestimi i aktivistëve, thotë se do ta dërgojë rastin në IPK

06/17/2022 14:27
nga:Astrit Gashi

Partia Socialdemokrate ka publikuar pamje nga video e arrestimit të dhunshëm të kreut të kësaj partie, Dardan Molliqaj nga Policia e Kosovës.

Në video-incizim shihet se si një polic me rroba civile pasi e shtrinë në tokë një aktivist ia vendosë këmbën në qafë.Në konferencë për medie të premten, PSD ka paralajmëruar se do ta dërgojë rastin në Inspektoratin Policor të Kosovës.

Anëtari i Kryesisë së PSD-së, Frashër Krasniqi, ka thënë se arrestimi i tij ka qenë politik dhe se njëri nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës është militant i partisë në pushtet.

“Shumë prej ju keni qenë dëshmitarë të një intervenimi politik dhe brutal nga policia e Kosovës. Dardan Molliqajt i është dërguar qëllimisht urdhërarresti. E dyta Policia e ka njoftuar gjykatën që nuk e ka njoftuar Dardan Molliqejn dhe brenda të njëjtës ditë kanë lëshuar urdhërarrest me datën 1 qershor”, tha Krasniqi.