Lajme

PSD: Policia me urdhër të pushtetit përdori dhunë në protestë!

11/29/2023 17:36
nga:Y I

Zëdhënësi për media i PSD-së, Bardh Ahmeti, në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic” ka folur në lidhje me protestën që u mbajt sot kundër vizitës së Kryetares së Dhomave të Specializuara në Kosovë, Ekaterina Trëndafilova.

Ahmeti deklaroi se në protestë u arrestuan gjashtë aktivistë të këtij subjekti politik.

Ai tutje u shpreh se megjithëse mjetet e përdoruara nga ata ishin paqësore, policia me urdhër të pushtetit përdori dhunë.

“Në protestën kundër ardhjes së kryetares së gjykatës speciale, u arrestuan 6 aktivistë të PSD-së, Dardan Molliqaj, Nol Nushi, Zgjim Hyseni, Agron Kabashi, Gent Brahimi, Korab Korca. Protesta jonë ishte thirrje për reflektim ndaj kësaj gjykate një etnike. Mjetet tona ishin paqesore, ndërkohë policia me urdhër të pushtetit, perdori dhunë joproporcionale” deklaroi Ahmeti për “Gazeta Blic”.

Ahmeti tha se si PSD bëjnë thirrje të lirohen menjëherë aktivistët e arrestuar.

“Ne kërkojmë lirimin e menjëhershëm të aktivistëve të arrestuar. Ndërsa rezistenca jonë ndaj kësaj gjykate vetëm sa do të rritet” deklaroi Ahmeti për “Gazeta Blic”.

Bardh Ahmeti, PSD

Në lidhje me protestën e mbajtur sot ka reaguar edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNj).

Në reagim thuhet se protesta e Partisë Socialdemokrate (PSD) ishte e drejtë dhe jo e dhunshme.

KMDLNj kërkon nga Inspektorati Policor i Kosovës të bëjë hetime nëse janë tejkaluar përgjegjësitë me të cilat është pajisur policia me rastin e menaxhimit të protestave.

“Kur aktivistë të PSD -së hodhën tymues, Policia e Kosovës intervenoi duke arrestuar së paku pesë aktivistë të PSD-së ndaj të cilëve u përdorë një forcë jo proporcionale, që për KMDLNJ-në është krejtësisht e panevojshme”

“Protesta, në të njëjtën kohë është e drejtë e njeriut në çdo vend demokratik. Në kohën kur qytetarëve të Kosovës që po mbahen peng në Burgun e Gjykatës Speciale raciste në Hagë po iu mohohen të drejtat elementare të njeriut, vizita e kryetares së kësaj gjykate në Prishtinë nuk mund të konsiderohet ndryshe përveç se provokim dhe veprim në kundërshtim me standardet minimale profesionale dhe morale. KMDLNj ka qenë fuqishëm kundër kësaj vizite” thuhet në reagimin e tyre raporton Gazeta Blic.

​KMDLNJ: Protesta e PSD-së ishte e drejtë, IPK të hetojë nëse policia tejkaloi përgjegjësitë

PSD njofton se janë arrestuar gjashtë aktivistë: Kërkojmë urgjentisht të lirohen, metodat frikësuese nuk na ndalin