Partia Socialdemokrate e Kosovës (PSD) në objektin e kishës ortodokse në oborrin e Universitetit të Prishtinës e ka vendosur mbishkrimin “simboli i shovinizmit”.
Kurse mëngjesin e së premtes në derën e kishës në kampusin e Universitetit të Prishtinës, është vendosur një mbishkrim në gjuhën angleze ku thuhet se “Jezusi urren serbët”.
Përderisa të enjten për herë të parë pas vitit 1998 është mbajtur një liturgji fetare. Siç njoftoi Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit, liturgjia u mbajt nga Peshkopi Teodosije.
Universiteti i Prishtinës ka njoftuar se do të ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për lirimin e kampusit universitar nga të gjitha objektet e ndërtuara pa leje.
Fjalimi i plotë i Zgjim Hysenit nga PSD
“Dje në këtë objekt u mbajt një liturgji kishtare. Në mes të ditës, në mes t’ë Prishtinës, para hundëve të krejt institucioneve, simbolin e shovinizmit duan ta bëjnë faltore. Jemi këtu per një deklaratë: simboli i shovinizmit nuk mund të jetë shtëpi e zotit. Nuk e kemi ditur, tha ministri i kulturës. Nëse është kështu, atëherë ky është një dështim i madh. Ministri i Brendshëm duhet të jap dorëheqje, AKI duhet të përgjigjet gjithashtu. Kosova qenka krejt e pasigurtë nën udhëheqjen e tyre. Të gjithë duhet ta dijnë se ky objekt është ndërtuar nën masa të dhunshme duke uzurpuar hapësirën e universitetit. Ky objekt për shumicën dërmuese të njerëzve është simbol segregimi, ky objekt brenda hapësirës se universitetit është kujtimi i një projekti për asimilimin e shqiptarëve të Kosovës. Ky objekt, bashkë me kohën e ndërtimit dhe vendndodhjen e tij është muze që na kujton çdo ditë se deri në çfarë hataje mund të shkojë përdorimi politik i religjionit. Megjithatë, ngjarja e djeshme duket të jetë vetëm fillimi i një procesi. Rreziku që na pret është përfshirja e këtij objekti në dialogun që po fillon. Bëhet fjalë për një zonë të mbrojtur e të mbyllur në qendër të Prishtinës. Kjo nuk është rruga e bashkjetesës”.