Bardh Ahmeti, anëtar i Partisë Socialdemokrate (PSD), ka komentuar ardhjen e Kaja Kallas në krye të presidencës së Bashkimit Evropian, duke theksuar se kjo nuk pritet të sjellë ndryshime të mëdha në politikën e BE-së ndaj Kosovës.
Ahmeti ka theksuar se qëndrimi i BE-së do të mbetet i njëjtë, duke e bërë të qartë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë dhe marrëveshjet e arritura në Bruksel duhet të zbatohen.
“Ardhja e zonjës Kallas në krye të presidencës së BE-së nuk pritet të sjellë ndonjë ndryshim të madh në politikën e unionit ndaj Kosovës. Përkundrazi, qëndrimi i BE-së mbetet i qartë: vazhdimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura në Bruksel”, thotë Ahmeti.
Ai ka shtuar se Kosova është përballë dy mundësive: izolim ose zbatimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Sipas tij, ky është një obligim që ka marrë kryeministri Albin Kurti, dhe presioni për zbatimin e tij do të rritet. Ahmeti ka theksuar se Kurti është përgjegjës për këtë situatë dhe se veprimet e tij do të përcaktojnë të ardhmen e Kosovës.
“Kjo do të thotë që Kosova duhet të ndërmarrë hapa konkretë drejt zbatimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Ky, për fat të keq, është obligim të cilin e ka marrë kryeministri Kurti, dhe presioni vetëm sa do të rritet për zbatimin e tij. Kosova, siç e kemi thënë edhe më herët, është para dy mundësive: ose izolim, ose Asociacion, për këtë përgjegjës duhet ta mbajmë kryeministrin Kurti”, tha Ahmeti për GazetaBlic.
David Philips: S’ka dyshime, prapa sulmit në Ibër-Lepenc qëndron Serbia