Partia Socialdemokrate e Kosovës, forcë politike opozitare e cila nuk është pjesë e Kuvendit të Kosovës, ka paralajmëruar për sot mbajtjen e një konference për media.
Në këtë adresim, ajo ka paralajmëruar se do të njoftojë për protestën që do të organizojë, e që në shënjestër do të ketë Gjykatën Speciale.
PSD deklaron se protesta kundër Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, përkon edhe me paralajmërimin për ardhjen në vizitë të kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trëndafilova.
Në konferencën që do të mbahet në selinë e kësaj partie, do të flasin kryetari i saj, Dardan Molliqaj si dhe Qëndron Kastrati.
Përndryshe, me 4 korrik 2022, kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova do të mbajë takim me përfaqësues të shoqërisë civile në Gjilan.
Në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës shkruan se Trendafilova do të ndajë informacion rreth mandatit, punës dhe zhvillimeve aktuale në Speciale si dhe do t’u përgjigjet pyetjeve .
Në vizitën e mëparshme, Trendafilova pati qëndruar në Prishtinë dhe Mitrovicën e Veriut.


