Ish-zv.ministri i Brendshëm, Selam Shkodra, ka shprehur shqetësimin se protestat aktuale të Policisë së Kosovës nuk janë në kohën e duhur duke marrë parasysh situatën e sigurisë në vend. Shkodra ka thënë se presioni aktual është i panevojshëm pasi projektbuxheti është finalizuar. Në anën tjetër, njohësi i sigurisë Drizan Shala ka propozuar që organizatorët të kthejnë presionin tek drejtori i Policisë së Kosovës dhe kryetari i sindikatës së policisë.
Ish-zv.ministër i Brendshëm, Selam Shkodra ka deklaruar se kërkesat e Policisë së Kosovës nuk janë në kohën e duhur për shkak të situatës së sigurisë në vend.
Kështu është shprehur ai në emisionin “FIVE” të RTV Dukagjinit, ku po diskutohej lidhur me (mos)përfilljen e Qeverisë ku njësitet elitare të policisë pritet të dalin sërish në rrugë.
“Ky është një lajm jo i mirë për shkak se protestat në këtë kohë kur vendi po kalon një sfidë në rrafshin e sigurisë nuk janë të duhura dhe mendoj se institucionet e vendit do të duhej të bënin më shumë që të dakordoheshin më njesinë speciale me qëllim që të arrinin një marrëveshje e cila do të fillonte zgjidhjen e kërkesave të tyre. Të dy palët janë pozicionuar skajshmërisht dhe nuk është e primit të duhur. Pritja ime ka qenë që do të afrohen palët gjatë kësaj periudhe kohore duke bashkëbiseduar dhe duke krijuar ekipe pune me qëllim që do të qonin në zgjidhjen e atyre kërkesave dhe tashmë është faktike që nesër do të ballafaqohen me atë protestë”, ka thënë Shkodra.
Tutje ai ka theksuar se “projektbuxheti është finalizuar dhe tashmë jemi para aktit të kryer dhe në këtë fazë çdo presion i kësaj forme është i panevojshëm dhe nuk arrit qëllimet e veta”.
“Do të ishtë e rrugës që të ndërmirren në konsideratë kërkesat e PK-së dhe të njëjtat do të ishtë mirë që të zgjidheshin. Policia do të duhet të kishte më shumë mirëkuptim në rastin konkret sa i përket situatës së sigurisë ku gjindet vendi por edhe Qeveria e Kosovës do të duhet ti merr më seriozisht gjithë ato kërkesa që vijnë nga ana e tyre por ndoshta nuk janë në kohën e duhur”, vijon ai.
Në anën tjetër, njohësi i sigurisë Drizan Shala ka deklaruar se organizatorët duhet të reflektojnë dhe të kthejnë presionin tek drejtori i Policisë së Kosovës dhe kryetari i sindikatës së policisë, ku më pas ata do të drejtonin kërkesat e tyre drejt qeverisë.
“Kjo qeveri do të duhej të reflektonte në aspektin e kërkesave të përgjithshme… Në kontekstin aktual, dita e nesërme nuk do të duhej të kishtë fare protestë nga ana e policisë, por do të duhej qe tani të reflektonin organizatorët dhe ti kthehet presioni tek drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës së bashku me kryetarin e sindikatës së PK, të jenë dy protaganoistët kryesorë që duhet të avancojnë më tutje në nivelin politik drejtuar shtrirjes së kërkesave të tyre për faktorin qeveritar”, ka thënë Shala.