Policia e Kosovës ka dalë me një komunikatë rreth protestës së paralajmëruar nesër nga veteranët e UÇK-së.
Në komunikatën për media bëhet e ditur se ata sot janë takuar me përfaqësues të OVL-UÇK-së
“Sot, më 15.06.2022, zyrtarë nga PK-ja, kanë zhvilluar një takim njoftues me përfaqësues të Shoqatës së Veteranëve të UÇK-së me qëllim të njoftimit rreth organizimit të protestës, vendit dhe kohës së mbajtjes së saj dhe masave tjera që lidhen me zhvillimin e protestës. Policia e Kosovës e njeh të drejtën e shprehjes së lirë, pakënaqësive (protestës) si e drejtë ligjore”, njofton PK-ja.
Tutje bëhet e ditur se Policia ka filluar përgatitjet për mbarëvajtjen e protestës
“Lidhur me këtë lajmërim PK-ja, ka filluar me kohë përgatitjen dhe ndërmarrjen e masave që kanë për qëllim mbarëvajtjen e protestës, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, ofrimin e sigurisë për qytetarët, mbrojtjen e pronës dhe ofrimin e sigurisë në trafik.”
“Policia do të ndërmerr masat e nevojshme preventive, operative policore për të siguruar që mbarëvajtja e tubimit / protestës të kalojë pa ndonjë incident, që pjesëmarrësit në protestë të shprehin qëllimin e tyre në mënyrë demokratike dhe në suaza ligjore”, shkruhet tutje në njoftim.
Nga Policia e Kosovës kanë kërkuar nga qytetarët dhe protestuesit e nesërm që të zhvillojnë protestën në mënyrë të qetë
“Sipas procedurave të parapara policia do të merr masa dhe do të shtojë aktivitetet operative para, gjatë dhe pas përfundimit të protestës. Me këtë rast fton të gjithë qytetarët, përfshirë pjesëmarrësit në protestë që protesta të zhvillohet e qetë duke respektuar ligjet e vendit dhe që kërkesat e tyre t’i shpalosin në mënyrë demokratike e ligjore”, përfundon komunikata e PK-së.
A do të marrë pjesë PDK në protestën e veteranëve?! Kjo është përgjigja e deputetit Ferat Shala


