Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla reagoi për protestën e opozitës që është duke u zhvilluar këtë të martë dhe për hedhjen e molotovëve dhe fishekzjarrëve në drejtim të Kryeministrisë.
Në një reagim publik në rrjete sociale, Balla tha se po përdoret dhunë dhe flakë për të fshehur dështimin politik.
“Dy fjalë për fundin e protestave të bufit, ku sulmohen punonjësit e policisë dhe institucionet. Ndoshta për të fshehur me tym e flakë dështimin e tyre. Gjithmonë do të ekzistojë liria për të protestuar në Shqipërinë tonë. Por nuk duhet të ekzistojë liria për të goditur apo keqtrajtuar ata që kanë zgjedhur të shërbejnë në mbrojtje të sigurisë së qytetarëve,” u shpreh ai.
Balla theksoi se roli i Policisë së Shtetit është thelbësor për rendin dhe sigurinë, duke kërkuar reflektim nga shoqëria dhe reagim nga drejtësia.
“Duhet t’i mbrojmë ata që na mbrojnë dhe duhet të kujdesemi për ata që shërbejnë për sigurinë e qytetarëve. Kjo është ajo që bën një shtet i drejtë dhe normal,” deklaroi ai.
Sipas Ballës, uniforma e policisë mbart një përgjegjësi të madhe, ndërsa drejtësia duhet “t’i bëjë shembull” personat që sulmojnë efektivët.
“Gjaku i policisë është gjaku i shtetit. Kush ngre dorë kundër punonjësit të policisë, ka ngritur dorë kundër shtetit,” theksoi Balla.


