Lajme

Protesta e opozitës në Shqipëri, përplasje te Parlamenti – protestuesit tentojnë të çajnë kordonin policor

02/10/2026 19:53
nga:Sh R

Protesta e opozitës është zhvendosur nga Kryeministria te godina e Parlamentit, ku janë shënuar momentet e para të tensionit mes protestuesve dhe policies, raporton A2CNN.

Protestuesit dhe deputetët e PD-së po shtyjnë efektivët duke tentuar të çajnë kordonin policor, ndërkohë që “blutë” po i shtyjnë duke ruajtur perimetrin.

Protestuesit kanë hedhur mjete të forta në drejtim të policisë, ndërkohë që deri më tani nuk është përdorur molotov. Një autobot është i gatshëm pranë Parlamentit për shpërndarjen e turmës, ndërkohë që janë krijuar dy kordonë policorë.

Më herët u shënuan tensione para Kryeministrisë, ku policia përdori makina me ujë për të shpërndarë turmën, që hoqi barrierën metalike.

Gjatë protestës së sotme policia ka angazhuar rreth 1400 efektivë, duke nisur nga ato të Rendit, FNSH, Shqiponjat dhe strukturat e tjera.

Në gatishmëri do të jenë edhe forcat RENEA në rast nevoje. Po ashtu në gjendje gatishmërie janë edhe Shërbimet Shëndetësore, duke përfshirë dy ambulanca dhe maska kundra gazit.