ZRRE ka propozuar që të rritet prej 15 për qind çmimi i energjisë elektrike, nga 1 prilli.
Kjo ka ngjallur reagime të shumta, derisa po shihet si barrë për qytetarët e goditje për bizneset.
Lidhur me këtë, ish deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se është goditje e rëndë për qytetarët dhe bizneset.
“Kërkesa e ZRrE për rritjen e çmimit të energjisë elektrike me 15% është një goditje e rëndë për qytetarët dhe bizneset, sidomos në një kohë kur kostoja e jetesës tashmë është e lartë. Kjo rritje jo vetëm që do të rëndojë drejtpërdrejt xhepat e familjeve kosovare, por do të krijojë edhe një efekt zinxhir në ekonomi, duke ndikuar në rritjen e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve”, ka thënë ai.
Lekaj potencon se për qytetarët do të thotë se do të kenë më pak para për nevojat bazë, pasi pagat s’do të rriten.
“Për qytetarët, kjo do të thotë më pak para për nevojat bazë, ndërkohë që pagat nuk janë rritur në të njëjtën masë. Familjet me të ardhura të ulëta do të goditen më shumë, pasi shpenzimet për energji do të zënë një përqindje edhe më të madhe të buxhetit të tyre mujor”, ka vlerësuar ish deputeti.
Ndërsa, për bizneset, sidomos ato prodhuese, thotë se do të ndikojë që të rrisin çmimet e produkteve për konsumatorët.
“Për bizneset, veçanërisht për ato prodhuese dhe shërbimet që varen nga energjia elektrike, kjo do të nënkuptojë rritje të kostove të operimit. Kjo mund të çojë në ngritje të çmimeve për konsumatorët, rënie të konkurrueshmërisë së bizneseve vendase dhe, në disa raste, ulje të vendeve të punës për të kompensuar shpenzimet shtesë”, ka theksuar Lekaj për Gazeta Blic.
Sipas tij, kërkesa për rritje të çmimit të energjisë është dëshmi se sektori energjetik është keqmenaxhuar nga qeveria.
“Kjo kërkesë për rritje të çmimit të energjisë është edhe një dëshmi e keqmenaxhimit të sektorit energjetik nga qeveria, e cila ka dështuar të ofrojë zgjidhje afatgjata dhe të mbrojë interesin e qytetarëve. Në vend të reformave të duhura dhe investimeve në stabilitetin e furnizimit, barrën po e paguajnë konsumatorët. Në këtë situatë, është e domosdoshme të ketë një debat të hapur publik mbi këtë çështje dhe të shqyrtohen alternativat për të shmangur këtë rritje, në mënyrë që të mos rëndohet edhe më shumë mirëqenia e qytetarëve dhe zhvillimi ekonomik i vendit”, ka deklaruar Pal Lekaj.
Edhe njohësi i çështjeve të ekonomisë, Arton Muhaxheri, kërkesën për rritje të çmimit të energjisë elektrike e sheh goditje për qytetarët dhe bizneset.
“Kërkesa për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për 15% është një goditje e radhës për qytetarët dhe bizneset, veçanërisht në një kohë kur kostoja e jetesës është tashmë e lartë. Duhet të ketë një analizë të thelluar dhe një arsyetim të qartë nga ZRrE dhe qeveria për këtë rritje. A është kjo pasojë e keqmenaxhimit, humbjeve në sistem, apo mungesës së investimeve në sektorin energjetik? Këto janë pyetje që kërkojnë përgjigje. Nuk mundet për çdo dështim në energjetik ta mbulojë me rritje të çmimit të energjisë, e cila vetëm në mandatin e Kurtit po ndodh tri herë radhazi, sidomos në kohën kur çmimi i energjisë ka trend të theksuar të rënies kudo në Evropë. Mjaft më, të merren vendime në kurriz të qytetarëve”, ka thënë ai për Gazeta Blic.
Muhaxheri vlerëson se rritja do të rëndojë buxhetet familjare, derisa qytetarët po përballen me çmime të larta.
Ndërsa thotë se bizneset do të përballen me kosto më të larta operative.
“Kjo rritje do të rëndojë ndjeshëm buxhetet familjare, duke e bërë jetën më të shtrenjtë për qytetarët, sidomos për ata me të ardhura më të ulëta. Për më tepër, qytetarët vetëm se janë duke u përballur me çmime të larta për produktet bazë, inflacion të lartë dhe paga që nuk e ndjekin ritmin e rritjes së kostove. Nga ana tjetër, bizneset do të përballen me kosto më të larta operative, që përfundimisht do të ndikojnë në çmimet e produkteve dhe shërbimeve. Kjo rritje nuk vjen në një moment të përshtatshëm, sidomos për sektorin prodhues, i cili tashmë ka sfida të shumta në konkurrueshmëri”, është shprehur njohësi i ekonomisë.
Sipas tij, kjo rritje do të ketë efekt zinxhir në rritje të çmimeve tjera, duke vështirësuar jetën për të gjithë.
Ai shton se qeveria s’ka bërë asjë për t’i mbrojtur qytetarët nga kriza ekonomike.
“Pa diskutim që po! Rritja e çmimit të energjisë do të ketë efekt zinxhir në rritjen e çmimeve të tjera, duke e bërë jetën më të vështirë për të gjithë. Kjo qeveri nuk ka bërë asgjë për të mbrojtur qytetarët nga krizat ekonomike. Në vend të zgjidhjeve afatgjata, po shohim vetëm politika të improvizuara që nuk e adresojnë problemin në themel. Ku janë investimet serioze në energjinë e ripërtëritshme? Ku janë reformat për të ulur varësinë nga importi dhe për të garantuar një sistem më të qëndrueshëm? Fatkeqësisht, në vend të përgjegjësisë dhe vizionit, po shohim një qeveri që vazhdon ta rëndojë jetën e qytetarëve me vendime të pamenduara mirë”, ka deklaruar Arton Muhaxheri./Gazeta Blic/


